Ndahet nga jeta aktori i njohur shqiptar, Lekë Mosi

Është ndarë nga jeta në moshën 98-vjeçare, aktori Lekë Mosi, pjesë e trupës së Estradës Profesioniste të Sarandës.

Mosi ishte një aktor i talentuar por edhe njeri plot vlera i respektuar në qytetin e Sarandës ku kaloi një pjesë të madhe të jetës dhe la gjurmë në jetën artistike të qytetit bregdetar.

Drejtori i Institutit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani ka dhënë lajmin e trishtë.

“Leka ishte një personazh i dashur për bashkëqytetarët e tij në Sarandë dhe në Shkodër nga ku Ai ishte dhe ku kaloj vitet e fundit të jetës së tij.

Ai ishte një mik i rrallë për këdo që pati fatin ta njihte nga afër, ishte një familjar i mirë dhe një artist që me lojën e tij aktoriale ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën artistike të Sarandës e më gjerë, duke skalitur bukur e me mjaft sqimë tipa dhe karaktere që nuk do të harrohen nga publiku sarandit e më gjerë.

Me largimin e tij përgjithmonë nga jeta, familja humbi Njeriun më të dashur, Mësuese Klorinda humbi bashkëshortin e saj të mirë dhe shembullor, fëmijët Marku dhe Terezina, babanë e dhembshur, të dashur dhe të përkushtur, nipërit dhe mbesat gjyshin fjalë pak e zemërdhembshur.

Miqtë dhe dashamirësit e tij të pafund humbën një shok e Mik të rrallë…

Shpirti Yt u prehtë në Paqen e merituar”, shkruan Çumani.

ObserverKult


Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA ARKEOLOGIA E NJOHUR, EDI SHUKRIU