
Artisti popullor, Ylki Zeqiri është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare.
Lajmin e dha Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro e cila u shpreh se i gjithë Përmeti dhe muzika e veçantë e sazeve është në vaj.
Kumbaro shprehet se, Zeqiri ishte muzikant dhe mësues i përkushtuar, me pasion dhe dashuri.
Ai i dha jetën këngës tradicionale dhe e kaloi atë te brezat e rinj, shton Kumbaro.
Duke i shprehur ngushëllime familjes dhe përmetarëve, ministrja nënvizon se, artistët si Ylkiu mbeten në përjetësi dhe në kujtesën e adhuruesve të muzikës përmetare përmes veprës së tyre.
Ylki Zeqiri ka lindur më 15 maj 1939 në qytetin e Përmetit dhe fillimisht përgatitet si klarinetist në bandën e marinës për 4 vjet. Më vonë vazhdoi studimet në liceun “Jordan Misja” në Tiranë. Ka punuar si mësues muzike dhe më vonë shef muzike dhe drejtor i qendrës kulturore të fëmijëve në Përmet. Më pas u emërua shef muzike i shtëpisë së kulturës po në Përmet.
Zeqiri ka qenë udhëheqës artistik i disa festivaleve folklorike dhe i asambleve për fëmijë e të rritur. Puna e tij është vlerësuar me flamur dhe çmime të para në rang kombëtar. Është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” dhe vlerësuar Qytetar Nderi i Përmetit. Vitet e fundit të punës së tij i kaloi në gjimnazin “Sami Frashëri” në Përmet si mësues histori-gjeografie.
Me partnerin e tij të Mentor Xhemali dhe mjeshtrin Laver Bariu e ngriti këngën popullore përmetare në nivelin më të lartë të cilat bënë jehonë brenda dhe jashtë atdheut./atsh
ObserverKult
Lexo edhe: