Fotografi dhe piktori i mirënjohur Leon Çika është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare.
Çika lindi në vitin 1954 në Tiranë në një familje me origjinë nga Dardha e Korçës. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë si piktor i arteve grafike.
Kontaktin e parë me fotografinë, Çika e mori pas mbarimit të studimeve dhe caktimit si piktor skenograf në Pallatin e Kulturës “Gramsh”.
Si piktor merr pjesë më tej në grupin e piktorëve për projektimin e interierëve të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë ndërsa më pas ka qenë drejtor i departamentit të fotografisë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) ku dhe krijoi një koncept të ri në imazhet fotografike që ATSH publikonte duke larguar përfundimisht fotografitë klishe.
Pas viteve ’90, Leon Çika punoi si pedagog i fotografisë në Akademinë e Arteve, si reporter dhe si producent i disa televizioneve dhe agjencive të lajmeve.
Çika ka realizuar vepra fotografike në dy drejtime, fotografinë dokumentare dhe zyrtare të ngjarjeve të ditës dhe fotografinë artistike një prej pasioneve kryesor të tij.
Ai është cilësuar si fotografi i natyrës duke realizuar punën e tij në formë ciklesh ku edhe në pikturat e tij pasqyrohen bukuritë natyrore të peizazheve shqiptare me magjinë dhe forcën emocionale shpirtërore të Çikës duke lënë një trashëgimi të pasur në artin dhe kulturën shqiptare.
Një nga botimet e rralla të realizuara prej tij ishte përmbledhja me 300 peizazhe urbane dedikuar Beratit.
Jeta profesionale:
1972-1976 Akademia e Arteve të Bukura Shqipëri, në Tiranë.
1976 – Në Universitetin e Tiranës realizon Mbrojtjen e Diplomës së Artit Grafik me titullin “Piktor i Arteve Grafike”.
2007-2008 – Profesor i fotografisë në Institutin zvicerano-shqiptar
1998-2000 – Profesor i fotografisë, në Fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës, Shqipëri.
1993 – Reporter / Producent / Kameraman për “Reuters” në Shqipëri
1985-1989 – Shef i fotografisë Artistike dhe shefi i departamentit të Përgjithshëm Fotografi tek muzeu “Enver Hoxha” në Tiranë.
1980-1985 – Shef i departamentit të Fotografisë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare
1979-1981 – Pjesë e grupit ekspozues dhe piktor i afreskeve dhe gravurës për Muzeun e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut në kështjellën e qytetit të Krujës
Aktiviteti krijues:
janar 2010 – Ekspozitë pikture në qytetin e Pogradecit (ekspozitë kolektive)
2005-2006 – Realizon dy ekspozita fotografike në Galeria Kombëtare e Arteve, duke pasur si fokus “Turizmin në Shqipëri”
1998-1999 – Çel dy ekspozita pikture me një bashkë-autor, Adnan Kastratin, në Tiranë
1981-1994 – Merr pjesë në ekspozitën kombëtare dhe ndërkombëtare “Professional Photographer” dhe publikon fotografi artistike në revista të ndryshme Arti
1986-1988 – Ekspozita e fotografisë të organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë për pjesëmarrësit ndërkombëtarë.
1977 – Ekspozita personale e pikturave në qytetin e Gramshit.
Vlerësime:
2005 – 2006 vlerësohet me dy çmime për Artin Fotografik në dy ekspozita të organizuara nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.
Fituesi i Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë “Marubi”
Çmimi Kombëtar 1995 për pankartën më të mirë të realizuar gjatë përvjetorit të çlirimit kombëtar nga nazistët
1982, vlerësohet me medaljen “Naim Frashëri”
1988, vlerësohet me Urdhrin e klasit të parë “Naim Frashëri”/atsh
ObserverKult
Lexo edhe:
KUR NIÇE JEPTE KËSHILLA PËR SHKRIMTARËT: JA ÇKA DUHET TË KENI PARASYSH