Ndahet nga jeta muzikanti dhe pedagogu i njohur shqiptar, Ramazan Kaponja

U nda nga jeta pedagogu i njohur dhe klarinetisti i shquar shqiptar, Ramazan Kaponja. Këtë e bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Shqipëri.

Njoftimi i plotë i TKOB-së

Të trishtuar për ndarjen nga jeta të ish-klarinetistit të parë të operës dhe pedagogut të shquar të klasës së klarinetës, Ramazan Kaponja.

Aktivitetin muzikor, Ramazan Kaponja e filloi në korin amator të Tiranës, ku aktivizohet që në vitin 1948 dhe më pas nis studimet për klarinetë pranë Liceut Artistik “J. Misja” në vitet 1951-1955.
Studimet e larta për klarinetë ai i kryen në Konservatorin e Pragës në vitet 1955-1960.
Pas mbarimit të studimeve, emërohet në Orkestrën e TKOB-së, ku punon deri në daljen në pension (1960-1986).
Në vitin 1962, është një ndër pedagogët e parë të klarinetës dhe muzikës së dhomës si pedagog i jashtëm pranë Konservatorit Shtetëror të Tiranës. Gjatë karrierës së tij në TKOB, si klarinetist i parë, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në interpretimin e veprave skenike, operave, baleteve dhe koncerteve simfonike.
Krahas punës në Teatrin e Operës dhe Baletit, ai është aktivizuar në shumë koncerte dhe ka ngritur mjaft ansamble të tjera frymore në qytete të ndryshme të vendit, si dhe ka realizuar mjaft emisione radiofonike mbi muzikën në Radio Tirana.
Ai është shquar edhe për aktivitetin e tij pedagogjik, nga klasa e të cilit kanë dalë klarinetistë që luajnë një rol të rëndësishëm në jetën muzikore shqiptare dhe jashtë vendit.
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor i shpreh ngushëllimet familjarëve, të afërmve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe admiruesve që e duartrokitën gjatë gjithë karrierës së tij.

ObserverKult


Lexo edhe:

NDAHET NGA JETA KOMPOZITORI DHE STUDIUESI I NJOHUR, EDMOND BUHARAJA