Ndahet nga jeta në moshën 72-vjeçare poeti i njohur korçar Skënder Rusi.
Vdekja mori para kohe lirikun e letrave shqipe, poetin që shkroi aq shumë për dashurinë, poetin aq shumë njerëzor si Skënder Rusi. Lajmi është konfirmuar nga të afërm të tij.
Poezitë e tij janë aq fort të lexuara nga të gjithë sepse Rusi që kur ishte student në Shkodër ka sjellë poezinë lirike si askush tjetër, poezi të cilën e ka lëvduar aq me shumë dashuri deri në frymën e fundit.
Ai shkroi aq fort edhe për miqtë e tij më të mirë sepse Rusi ishte aq shumë social sa asnjë poet tjetër.
Krijimtaria poetike e Skënder Rusit është pasuria më e madhe që poeti la Devollit ku lindi e u rrit, Korçës ku kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij ashtu siç i la një pasuri poetike të gjithë shqiptarisë.
Kush ishte Skënder Rusi?
𝗦𝗸ë𝗻𝗱𝗲𝗿 𝗥𝘂𝘀𝗶 i takon një kategorie të rrallë e të rëndësishme të jetës kulturore dhe shpirtërore të Shqipërisë. Ai ishte një qenie poetike, që jetonter për poezinë dhe me poezinë e tij.
I lindur në Devoll, në vitin 1952, ky poet me një karrierë mbi 50-vjeçare në fushën e letrave, ka qenë autori i 25 vëllimeve me poezi që kanë tërhequr lexues të shumtë brenda dhe jashtë vendit, duke dhënë një kontribut të qenësishëm për promovimin e vlerave të kulturës dhe letërsisë shqipe bashkëkohore.
Për artin letrar të tij, poeti Skënder Rusi ka marrë vlerësime të shumta, ku më i fundit është vlerësimi me titullin “Qytetar Nderi i Korçës”, në vitin 2021.
Jeta shpirtërore dhe krijuese e poetit Skënder Rusi është e lidhur me qytetin e Korçës, qytet të cilit si rrallëkush më parë, i ka kushtuar një libër me 100 poezi të gjitha si dedikim ndaj tij, përfshirë edhe një poezi – himn ndaj qytetit: “Korçës një fjalë dashurie”.
Aktiviteti i tij në fushën e kulturës dhe librit në rajonin e Korçës ka një shtrirje profesionale 27-vjeçare, duke nisur si drejtor i Pallatit të Kulturës së qytetit të Korçës 1991-1996 dhe drejtor i Bibliotekës së qytetit nga 1997-2017.
Ky poet ka ideuar aktivitetin më të rëndësishëm poetik, për ngritjen dhe promovimin e vlerave të poezisë shqipe brenda dhe jashtë vendit “Netët Korçare të Poezisë”, i cili për 25 vjet e në vijim është shndërruar në traditën që e identifikon Korçën poetike në sytë e shijuesit të poezisë brenda dhe jashtë vendit, me poetë të ftuar nga Kosova, Greqia, Maqedonia, Turqia, Bullgaria, Rumania, Italia etj.
Krijimet poetike të poetit Skënder Rusi janë botuar dhe përfshirë nëpër antologjitë e disa vendeve të Evropës si në Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Greqi etj.
Skënder Rusi i ka kënduar në mënyrën më të bukur dashurisë dhe qytetit të Korçës. Ne të gjithë i jemi mirënjohës për shpirtin që i ka dhënë poezisë dhe për piedestalin e vargjeve, në të cilin e ka ngritur qytetin tonë të bukur.
Vëmendja ndaj poetit, është kujdes dhe vlerësim ndaj shpirtit të së bukurës, që ushqen kujtesën e një vendi dhe frymëzon të ardhmen e tij.
“Se si po më ikën jeta! se si!”, poezi nga Skënder Rusi
Se si po më ikën jeta! Se si!
Pa më pyetur fare,
Sikur të mos jetë imja!
Kam çaste kur edhe vetë nuk e di,
Nëse duhej ose jo, të lindja!
Se si po më ikin ditët! Se si!
Rrokullisen, rrokullisen, si toptha të vegjël!
Unë vrapoj pas tyre, kërkoj t’i arrij,
T’i ndaloj, t’i pyes, ç’do të bëhem nesër!?
Se si po më ikin ëndrrat! Se si!
Edhe në gjumë më kanë hyrë,
Edhe m’i kanë vrarë!
Ato që kanë shpëtuar kanë marrë arratinë,
Duke më lënë mua një të vdekur-të gjallë!
Se si po më ikin dashuritë! Se si!
Një sot. Një nesër. Një tjetër pas një jave!
Marr kokën mes grushtash,
I bie me zemërim,
Sikur të ketë bërë mijra faje!
Se si po më ikin dëshirat! Se si!
Si ata zogjtë shtegëtarë që dimrit i tremben!
Po ç’them edhe unë,
Do të ishte një mrekulli,
Të ishin zogj shtegëtarë që ikin e kthehen!
ObserverKult
Lexo edhe: