Ndahet nga jeta ish-profesori i universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Njazi Kazazi. Ai ishte në moshën 72-vjeçare. Profesor Njazi Kazazi njëri ndër qytetarët e dobishëm të Shkodrës dhe kontribuues në zhvillimin e arsimit.
Bir i një familje të njohur shkodrane, Njazi Kazazi, do t’i përkushtohej arsimit, fillimisht mësues në disa fshatra të Pukës, Shkodrës e Malësisë se Madhe, ku fitoi admirimin e banorëve për sjelljen e tij, edukatën, respektin ndaj tyre dhe pasionin për një mësimdhënie sa më të mirë të nxënësve. Ky përkushtim bëri që ai te caktohet në vijim specialist në ish-Kabinetin Pedagogjik të Shkodrës, një institucion shumë i rëndësishëm i kohës për arsimin, ku punoi për shume vite. Fjalë pak, punë shumë, kërkues ndaj vetes dhe kolegeve.
Njazi Kazazi, do bëhet kështu mjaft i njohur në sektorin e arsimit të Shkodrës duke fituar edhe mirënjohjen e mësuesve, drejtuesve të shkollave, nxënësve e prindërve. Vlerësimi për punën në ish-Kabinetin e Pedagogjik, bëri që Njazi Kazazi të emërohej me pas në një nivel më të lartë mësimdhënie e pikërisht pedagog ne Universitetin “Lugj Gurakuqi” te Shkodrës.
Edhe këtu spikati me angazhimin e tij si një profesionist tashmë me përvojë i lëndës së gjuhës shqipe, se cilës i ishte përkushtuar që në shkollën e mesme për ta vijuar në studimet universitare.
Pikërisht në këtë universitet e mbylli zyrtarisht edhe karrierën e tij arsimore me daljen ne pension, por në të vërtetë ai nuk iu nda universitetit, kolegëve dhe studentëve. Ndonëse në pension, ai kalonte jo pak kohë në mjediset e universitetit, duke ofruar përvojën e tij për pedagogët dhe studentët.
Njazi Kazazi u nda nga jeta, por emri i tij do të kujtohet gjatë në Shkoder si ndër njerëzit e mirë, të ditur dhe të respektuar të këtij qyteti, dhe ai një nder mësuesit, aktiviteti i të cilit e pasuron historinë e arsimit në Shkodër.
Prof. Njazi Kazazi me lirinë e besimit pas viteve ’90 do të angazhohej dhe do të jepte një kontribut të gjerë në publicistikë, duke botuar dhjetëra artikuj në shumë gazeta dhe revista islame, duke nxjerrë në pah shumë personalitete të shquara myslimane shqiptare. Prej rithemelimit të revistës “Zani i Naltë” në vitin 2012 ai ishte gjithashtu dhe anëtar i Bordit Editorial të saj, duke botuar shumë artikuj me karakter biografik dhe studimor për personalitete të shumta dhe historikun e medresesë së Shkodrës dhe arsimit islam në qytetin e tij të lindjes./gazeta shqip