Ndahet nga jeta shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare

Ismail Kadare

Mëngjesin e sotëm, 1 korrik 2024, është ndarë nga jeta shkrimtari Ismail Kadare. Kolosi i letrave shqipe mbylli sytë përgjithmonë  këtë  të  hënë.

Ismail Kadare lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.

Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996, Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin «Man Booker International» më 2005, çmimin «Princ i Asturias» për Artet më 2009 dhe Çmimin «Jeruzalem» më 2015.

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL KADARE: GJUHA SHQIPE