Pesë varret e Naim Frashërit

Pesë varret e Naimit

Nga Zylyftar HOXHA

Varri i Naim Frashërit, aty ku është sot, në Kodrat e Liqenit, është i pesti. Që nga varrimi i parë në një fshat dy orë larg nga Stambolli, pranë teqesë së Merdiven – Qojt, ceremoni e përshkruar bukur nga nipi i tij, Mit’hat Frashëri, eshtrat e Poetit tonë Kombëtar kanë lëvizur edhe plot katër herë të tjera. Ky “udhëtim” i imponuar sfilitës pas vdekjes, në disa raste më shumë se për të nderuar poetin e madh, është bërë për “protagonistët” e këtyre lëvizjeve, për të evidentuar veten e tyre se gjoja dinë të vlerësojnë dhe të ridimensionojnë figurat kombëtare.

Varri i parë, 20 tetor 1900

Askush më mirë se Mit’hat Frashëri nuk ka mundur të bëjë kronikën e këtij varrimi, të botuar një vit më vonë. Ja si e përshkruan ai ditën e vdekjes së xhaxhait të tij, Naim Frashërit:
“ …E shtuna në familjen tonë është dit’ e nëmurë, dit’ e zezë. Ashtu u shua të shtunë në më dy orë të mëngjesit, 7 vjesht’ e dytë 1900, një jetë që kish nisurë më 1 të natës duke gdhir’ e hënë, më 13 të majit 1846 në Frashër.
Ora 7. Arritmë në varr. Këtu na pret një helm i ri: Jemi përpara varrit t’Abdyl beut; kështu, pra, këta të dy vëllezërë që kanë rojtur bashkë, kanë punuarë bashkë, kanë pasurë një qëllim e një mendim, ë janë përpjekurë tërë jetën e tyre për Shqipërinë, janë dhe pas vdekjes ngjitur në varr!
…Shikoni, o njerës, ja se ku vihetë në varr Naimi! Naimi – babaj i shqipëtarëve, Naimi – babaj ynë, Naimi – mësonjësi ynë! Dy kut dhé arrijnë për këtë njeri të math e të dashurë! Ja, na humbi trupi, dheu po e mbulon, më s’e kemi për ta parë, më s’e kemi për ta dëgjuarë.
…O njerës, gjithë kështu do vdesim!…Si mjer’ ata që kanë qenë të liq, si lum ata që kanë qenë të mirë! Perëndija do të na njohë gjithë punët”…
Veç Mit’hat Frashërit, varrin e parë të Naim Frashërit në Meridven Qoj, e përshkruan edhe një mjeshtër tjetër i letrave, Branko Merxhani, i cili ka bërë shumë vite më vonë një vizitë aty. Shkrimi është botuar në revistën “Minerva”, 1934: Ja si shkruan ai:
“…Atje tutje, në rrëzë të sipërfaqes ku bashkohen ca rrape, me një varr të mermertë, ka një gur të stolisur me një mbishkrim turçe. Njëri prej gurëve të varrit ka ikur nga vendi dhe nga njëra anë e tij po bien copa dheu të djegur e të nxirë nga thatësira. Në këtë vend flenë kockat e Naimit që brezi ynë e njeh si poet kombëtar. Ky njeri i madh, që është krijonjësi i parë i shqiptarisë së re, është bërë flija e mosmirënjohësisë më të madhe të Shqipërisë së krijuar. Në këto balta të shkreta të një vendi të huaj, ç’punë ka akoma Naimi? Këtu as’ka asnjeri që ia di varrin e tij, përveç një gruaje plakë, e teqesë…”

Varri i dytë, 3 qershor 1937

Ardhja e eshtrave të Naimit dhe rivarrimi i tij në teqenë e bektashinjve, në periferi të Tiranës, u bë me ceremoni madhështore, ku morën pjesë personalitetet më të larta të shtetit dhe populli i kryeqytetit.
Po japim diçka nga kronika e kohës, gazeta “Shtypi”, dt. 3 qershor 1937:
“Shqipëria e lirë pret me mallëngjim ligjëronjësin e shqiptarizmës, Naim Frashërin. Erdh Naim Frashëri. Dhe tërë populli i Tiranës dje pas dreke grumbullohej tej legatës amerikane, në mes të disa lëndinave të gjelbëruara, ku vargjet “Bagëti e Bujqësi” ndiheshin si kambanë mallëngjimi në veshët e atyre që qysh në djep kanë dëgjuar emrin “Naim”. Dhe cili shqiptar, sidomos i ri, nuk është ushqyer nga drita atdhetare e këngëve të Naimit? Ja shiko djemtë e rinj, fëmijët e shkollave, ndonëse jo të radhitur, bredhin përpjetë rrugës për të pritur eshtrat e atdhetarit të madh. Shquanin atje autoritetet e vendit, të tërë deputetët, kleri, oficerë, gazetarë, nëpunës, popull. Populli i mbledhur mizëri kishte mbushur anët e rrugës s’Elbasanit, ndërsa bataljoni “Deja” paraqiti armë se automobili me arkivolin e “yllit të idhesë shqiptare” po vinte aty nga ora 5. Për nder armë. Tingulli i bajonetave qëndruan gati në atë heshtje kuptimplotë të turmës së madhe nuk u ndie fare, se zemra e të gjithë vërrinte pa pritur se Naimi erdhi! Erdh Naim Frashëri! Erdh ai që tha: “Kur më shihni se jam tretur, mos kujtoni se kam vdekur!”…

Varri i tretë, 9 prill 1940

Fashistët italianë, sipas dhe qëllimeve të tyre fashiste synuan të bëjnë rivlerësime të figurave kombëtare, pikërisht atyre që kishin popullaritet më të madh. Kështu ndodhi edhe me Naim Frashërin. Më 9 prill 1940, në vitin jubilar të 40-vjetorit të vdekjes nën kujdesin e Françesko Jakomonit (mëkëmbësi i mbretit Viktor Emanueli III për Shqipërinë) në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve në Tiranë u zhvillua me rregullat e ceremonive fashiste e fetare vendosja e eshtrave në një varr të ri monumental. Aq “i interesuar” ishte Jakomoni, sa edhe varrin e Naim Frashërit e kishte ideuar dhe financuar vetë, në të cilin kishte edhe një shënim: “dhuratë e shkëlqesisë së tij, mëkëmbësit të përgjithshëm, Françesko Jakomoni”.

Varri i katërt, 20 prill 1950

Pas çlirimit, meqenëse varri memorial në Kryegjyshatën botërore të Bektashinjve kishte simbole dhe përkushtime fashiste, gjatë viteve të para të regjimit komunist, u çmontua dhe iu hoqën simbolet dhe shkrimet e vendosura, duke e kthyer në një varr pa identitet. Nga qeveria e Enver Hoxhës, që kishte ardhur në pushtet, u gjet rasti i 50-vjetorit të vdekjes së Naimit që varri i Naim Frashërit të gjendej mes gërmadhash dhe të vendosej në qendër të Tiranës, në krahë të Kryeministrisë, aty ku sot është Piramida. Ky ishte edhe varrimi i katërt i poetit.

Varri i pestë, 10 qershor 1978

Në qershor të vitit 1978 u organizuan festime me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me këtë rast u mundësua sjellja e eshtrave të disa patriotëve, ndër ta edhe të Abdyl Frashërit, si një veprimtar i rëndësishëm i Lidhjes së Prizrenit. Eshtrat e tij u sollën nga Turqia. Qeveria komuniste organizon në sheshin “Skënderbej” një ceremoni të përbashkët varrimi për Abdyl dhe Naim Frashërin. Eshtrat e Naimit u rinxorën nga vendvarrimi pranë lulishtes së Kryeministrisë.
Pak nga kronika e kohës:
“…Nga sheshi “Skënderbej” të vendosur në shtrat topi, eshtrat e dy vëllezërve Frashëri, të miutshoqëruar nga mijëra banorë, politikanë dhe qeveritarë, u përcollën për në kodrat e liqenit, ku ishte përgatitur një varrezë monumentale për Abdylin e Naimin dhe një varr simbolik (pa eshtra) për Sami Frashërin, eshtrat e të cilit prehen në Turqi dhe qeveritë turke nuk kanë miratuar në asnjë rast shpërnguljen e këtij intelektuali të shquar edhe për kulturën turke”./

ObserverKult

Lexo edhe:

PRESTIGJIOZJA AMERIKANE “TIME”: BERATI NJË NGA VENDET MË TË MREKULLUESHME NË BOTË…