Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, reagon vajza e Dritëro Agollit: Lamtumirë i adhuruari shkrimtar! Lamtumirë, për mua, xhaxhi Ismail!

Vajza e shkrimtarit Dritëro Agolli, Elona Agolli, disa orë pas homazheve të Ismail Kadaresë ka reaguar në rrjetet e saj sociale për ndarjen nga jeta të gjeniut të letërsisë.

Elona Agolli shprehet se nga sot, Kadare do të prehet në banesën e fundit me kurmin në tokë dhe shpirtin pranë qiellit.

“Ndoshta do të kishin dashur të prisnin ndryshe të fundmen ditë… njëlloj ashtu siç i madhi Niko Kazanxaqis admironte vdekjen në këmbë, të njëjtë me ushtarët e Pompeut . Apo si ai që përfshihej nga llava e vdiste në këmbë si statujë. Edhe atë ditë që babi nuk më lëshonte duart nga flokët duke i tërhequr si litarë, atë ditë në spitalin me muret gri dhe frymën e kobshme të vdekjes, ai këtë gjë donte të më thonte. Jam e bindur që edhe ai, miku i hershëm dhe i gjithjetshëm i babait tim, ashtu do ta dëshironte.

E sido që të jetë, Ismail Kadare që sot do të prehet në banesën e fundme, me kurmin në tokë , por shpirtin afër qiellit, ashtu siç përherë të mëdhenjtë shkrimtarë e kanë, në jetën tokësore por edhe në atë në amshim , brez pas brezi e shekull pas shekulli, do të mbetet më i gjallë ndër të gjallët , më i ndriçuar ndër të ndriçuarit.

Lamtumirë i adhuruari shkrimtar! Lamtumirë, për mua, xhaxhi Ismail!”, shkruan Elona Agolli.

ObserverKult


Lexo edhe:

VAJZAT E ISMAIL KADARESË PREKIN ME FJALËT: “MËNYRA MË E MIRË PËR T’I BËRË HOMAZH ËSHTË TË LEXOJMË VEPRAT E TIJ”