Ndërroi jetë gazetari Bedri Sadiku

Ka ndërruar jetë gazetari Bedri Sadiku në moshë 64-vjeçare të enjten ne Prishtinë.

Lajmi u konfirmua nga familjarët e tij.

Sadiku ndërroi jetë i rrethuar nga familjarët e ngushtë, pas një sëmundje të shkurtër.

Bedri Sadiku u lind në Preshevë, ndërsa studimet i përfundoi në Fakultetin Filologjik në Shkup dhe studimet master në Zagreb të Kroacisë.

Për shumë vjet rresht punoi në gazetën Rilindja, fillimisht në Prishtinë, gjatë viteve 80-të, ndërsa më vonë gjatë viteve 90-të në Tiranë dhe Shkup.

Gjatë viteve të luftës në Kosovë përcolli për së afërmi krizën e refugjatëve në Maqedoni, teksa me intervistat e tij me ish-ambasadorin amerikan Christopher Hill luajti një rol të rëndësishëm në sensibilizimin e çështjes së Kosovës, transmeton ‘gazetablic’.

Gjatë kohës së luftës Sadiku bashkëpunoi afër edhe me mediumin ‘Kosovapress’.

Veterani i gazetarisë më vonë punoi edhe gazetat Lobi dhe Lajm ekskluzive. Ai përcolli nga afër luftërat në Preshevë dhe Maqedoni.

Sadiku bashkë me një plejadë gazetarësh të Rilindjes, llogariten si veprimtarë të rëndësishëm të çështjes kombëtare, gjatë viteve ’90-të e tutje.

Ai la të pikëlluar bashkëshorten Luljeten, dhe fëmijët Krenarin, Kushtrim, Shqipen dhe Besën.