Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Vlora Dumoshi, të mërkurën ka vizituar disa shtëpi të vjetra në Prizren, ku është intervenuar me fonde publike, duke vlerësuar rëndësinë e tyre për trashëgiminë kulturore të qytetit.
Njëherësh është zotuar edhe për krijimin e muzeve të rinj në qytetin-muze, si pjesë e përpjekjeve për dokumentim, në mënyrë që historitë e kësaj treve të ruhen dhe të mos harrohen. Me këtë rast ajo është zotuar për themelimin e “Muzeut të dhunës” në ish-Burgun e OZNA-s në Prizren, si dhe Muzeun e Filigranit, shkruan ‘Koha’.
Në prag të përmbylljes së Ditëve të Trashëgimisë Evropiane, ministrja Dumoshi ka bërë përurimin e intervenimeve të realizuara në shtëpitë e vjetra të Prizrenit, si pjesë e programit: “Masa preventive-intervenime emergjente në Qendrën Historike të Prizrenit”. Sipas zyrtarëve, punimet janë përmbyllur në ndërtesat-shtëpitë e familjeve: Dukagjini, Muriqi, Hereni, Koci, Kolshi, Skenderi dhe Doda.
Ministrja ka përkujtuar se çdo shtëpi e vjetër në Prizren ka një histori të veten dhe ka vlerësuar kontributin e familjeve në mbrojtjen e këtyre vlerave të trashëgimisë kulturore.
“Pra, sot i kemi prej 8 shtëpive, të cilat janë paraparë, 7 kanë përfunduar. Dhe ky është një lajm i mirë edhe për trashëgiminë kulturore edhe në këtë muaj që po i mbyllim Ditët e Trashëgimisë Evropiane, por edhe për qytetin e Prizrenit”, ka thënë udhëheqësja politike e MKRS-së.
Në anën tjetër, përfaqësues të familjeve Dukagjini dhe Doda janë shprehur mirënjohës për intervenimet e bëra në shtëpitë e tyre, me qëllim të përmirësimit të kushteve të banimit në to.
Ndërkaq ministrja Dumoshi ka theksuar se pos këtyre projekteve edhe projekti për rivitalizimin e rrugës “Marin Barleti” është proceduar në prokurim nga kjo ministri dhe se ka angazhime që të kryhet sa më shpejt.
Pas vizitave në shtëpitë e vjetra, Dumoshi ka vizituar punëtorinë e filigranit në Prizren, ku nga afër ka parë punën e mjeshtërve të dalluar të këtij artizanati, sikurse edhe aftësimin e kandidatëve që dëshirojnë të përfitojnë njohuri të reja. Në këtë aspekt nga drejtuesja e MKRS-së është kërkuar angazhim për hapjen e një paraleleje shkollore për filigranin në shkollat profesionale të Prizrenit.