Pas ndarjes nga jeta të arkitektit dhe piktorit Maks Velo, shtëpia e tij u shpall “Monument Kulture” dhe do të merret në mbrojtje nga shteti. Vendimi u mor nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe lajmin e beri me dije ministrja e Kulturës Elva Margariti.
“Në respekt të figurës dhe kontributit të dhënë përmes artit, profesionalizmit, dëshmisë dhe mendimit të lirë, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore vedosi të shpallë ‘Monument Kulture të Kategorisë II’, banesën e intelektualit, piktorit, arkitektit dhe shkrimtarit, Maks Velo”, thuhet në një deklaratë.
Si për ironi të fatit, në të njëjtën ditë Policia do të dhunonte protestues, dhe ndërtesa e Teatrit Kombëtar të mbrojtur me zell nga Velo dhe qytetarë e aktivistë, do të cilësohej nga i pari i bashkisë Erjon Veliaj si “kolibe e fashizmit”. Deklaratat e tij vijnë ndërkohë që qeveria e kaloi pronësinë mbi godinën bashkisë, duke i hapur rrugë shembjes së Teatrit.
“Nuk e besoj që janë artistët që duan të qëndrojnë në një godinë prej tallashi”, do të shprehej kryetari i bashkisë duke zgjuar edhe një herë zemëratë në mesin e atyre që e konsiderojnë Teatrin një pasuri publike. Në të gjithë këtë proces ka një paradoks të madh, ku natyrshëm ngrihet pyetja: A mjafton t’i nderojmë persoalitetet e artit, kulturës, urbanistikës pas vdekjes, kur nuk ua kemi marrë për bazë mendimin sa qenë gjallë?
Natyrisht përgjigjia e kësaj pyetje mbart në vetvete hipokrizinë e një klase politike, që vendimet i merr pa u konsultuar me specialist të fushës, grupe të interesit dhe publikun e gjerë.
Ndonëse në të shkuarën i ndjeri Maks Velo do të mbante në publik qëndrime të përafërta me kryeministrin Rama, me të cilin e lidhte edhe një miqësi, vitet e fundit ai nuk mundi ta fshehë zhgënjimin nga politika. Gjatë një interviste, i pyetur pse nuk e dëgjon më kryeministri, arkitekti do të shprehej: “Unë pashë që ai të përdor. Ai do patjetër të thuash atë që do ai. Dalë ngadalë unë këtë e kuptova. Çdo njeri që nuk është dakord me të duhet të largohet. Rasti i Teatrit është gjëja më katastrofike”.
Kujtojmë që mbërritja e Maks Velos në oborrin e Teatrit, vend që u kthye pak nga pak në Agorën e mbrojtes së Publikes u prit me entuziazëm nga aktorët protestues. Velo do të fliste pa doreza, dhe në një fjalim emocionues do të shprehej: “Kam pare Yllkën, Loro Kovaçin, Margarita Xhepën, Luzia Xhuvanin,….të gjithë i kam parë. Por, tani duhet të kuptojmë se ky nuk është teatër, por arti i kombit.
“Nuk është punë e teatrit, këtu është për të vjedhur territorin. Unë jam dakord. Po të jetë ky territor 5.200 metra, i takon teatrit dhe ndërtohet teatër tjetër”, do të shprehej ai gjatë një interviste. Maks Velo do të largohej nga kjo botë me imazhin e një Tirane të shpërfytyruar, që ka humbur thuajse gjithçka nga vlerat urbaistike të ansamblit italian, e ku ngrihen si kërpudha rrokaqiej gjigantë që e mpakin përditë hapësirën publike, që rrënojnë trashgiminë kulturore, e të japin imazhin e një qyteti Ktisch si Baku-ja i Azejrbaxhanit.