Ditën e djeshme u nda nga jeta regjisori, kritiku i kinematografisë dhe pedagogu, Kristaq Dhamo.
Dhamo lindi në Libofshë të Fierit, më 20 prill 1933. Kreu liceun artistik “Jordan Misja”, më 1952, dega dramaturgji, duke vënë në skenë pjesën “Dëftesa e pjekurisë” te K. Simonov, ku interpretuan regjisorët e ardhshem të teatrit shqiptar Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Esat Oktrova, Mihal Luarasi.
Studimet universitare i kreu në Institutin e Lartë të Teatrit dhe Kinematografisë në Budapest, Hungari, me 1956, dhe fill më pas u emërua në kinostudion “Shqipëria e re”.
Për një periudhë të gjatë kohe, Kristaq Dhamo ka qenë udhëheqës artistik i kinostudios (1973-1981 dhe 1984-1992). Është regjisori që realizoi filmin e parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë, “Tana”, i cili qe gjithashtu edhe filmi i tij i parë, me të cilin mbrojti edhe diplomën (1958).
Pas filmit “Detyrë e posaçme (1963), në vitin 1965 ekranizoi romanin “Këneta” të Fatmir Gjatës, nën titullin “Vitet e Para”, nderuar me Çmimin e Republikës të Klasit II, si dhe me diplome nderi në Festivalin I të Filmit Ballkanik ne Varna (Bullgari, 1966) për “Regjinë e skenave masive me vërtetësi kronikale”.
Dhamo fitoi edhe çmimin për “Regjinë më të mirë” në Festivalin e Filmit Shqiptar, 1979.
Për shumë vite ai ka qenë drejtor artistik në Film Studio. Dhamo ka dhënë një ndihmë të çmuar në përgatitjen e studentëve të rinj të kinematografisë, me organizimin e disa kurseve profesionale.
Në 1979 i është dhënë titulli “Artist merituar” dhe në vitin 1987 është nderuar me titullin “Artist i Popullit”. Në festivalin e XI-të i filmit shqiptar 2000 është nderuar me çmimin e karrierës./ATSH
Lexo edhe:
VDES NË MOSHËN 89-VJEÇARE KINEASTI I NJOHUR, KRISTAQ DHAMO
ObserverKult