Ndërroi jetë profesori i njohur, Xheladin Shala

Ndërroi jetë profesori Xheladin Shala, punonjësi shumëvjeçar në Degën e Historisë të Institutit Albanologjik. Për vdekjen e tij njoftoi dje faqja në “Facebook” e Degës së Gjuhësisë – Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Postimi i plotë:

Sot, u nda prej nesh, nga gjiri ynë, prej familjes së tij, nga shokët e tij, punonjësi shumëvjeçar në Degën e Historisë të Institutit Albanologjik Prof. dr. Xheladin Shala.

Prof. Xheladin Shala punoi rreth dyzet vjet në Institutin Albanologjik. Ai me punën e vet të pandërprerë shkencore, e afirmoi këtë institucion në rrafshin e historisë sonë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare. Përmes studimeve të tij shkencore ai jo vetëm që ringjalli historinë tonë. Por edhe ndriçoi të vërtetën historike e cila shpesh herë është nëpërkëmbur edhe për qëllime jo vetëm shkencore.

Vdekja e tij, përveçse humbje e madhe për familjen. Gjithashtu lë një zbrazëtirë të veçantë edhe në historiografinë dhe në kulturën shqiptare përgjithësisht.

Duke punuar për një kohë të gjatë në Institutin Albanologjik, përveç projekteve të realizuara, kumtesave të paraqitura e diskutimeve të bëra në aktivitetet shkencore. Në mesin e kolegëve do të mbahet në mend edhe si një njeri i mirë, parimor, koleg i respektuar, gjithnjë i gatshëm të punojë e të bashkëpunojë me të tjerët.
Për të nderuar jetën, veprën dhe veprimtarinë e gjithëmbarshme profesionale dhe intelektuale, Instituti Albanologjik, në ambientet e tij, mban mbledhje komemorative, më 6 maj 2022, në orën 14.00.

Varrimi i Prof. dr. Xheladin Shalës bëhet më 6 maj 2022, në orën 16:30, në Prishtinë.
Me këtë rast Instituti Albanologjik u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve. Ish-nxënësve dhe ish-studentëve, kolegëve, bashkëpunëtorëve të shumtë dhe të gjithë atyre që e kanë njohur Prof. dr. Xheladin Shalën, që e kanë nderuar punën e tij si albanolog, si intelektual dhe si veprimtar.

Qoftë i përjetshëm kujtimi e nderimi për të!

ObserverKult


Lexo edhe:

NDËRROI JETË KËNGËTARJA E NJOHUR, NAOMI JUDD