Ndërroi jetë shkrimtari shqiptar, Agim Cerga

Agim Cerga shkrimtari i njohur shqiptar ka ndërruar jetë në Kanada. Agim Cerga ka lindur në Shqipëri në 1934 dhe ishte me banim në Kanada. Ka qenë për disa vite (nga viti 1977 deri në 1981) sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, redaktor në gazetat dhe revistat letrare që dilnin në atë kohë, gazeta “Zëri i Rinisë”, “Drita”, revista “Nëntori” etj.

Shkrimtari Agim Cerga ka botuar 22 libra, prej të cilëve 9 janë romane, 6 janë vëllime me tregime, 6 janë novela, si edhe një vëllim me 3 drama. Një pjesë e mirë e librave të tij janë ribotuar në Kosovë dhe kritika letrare i ka vlerësuar shumë mirë.

Ka marrë mbi 12 çmime në konkurset kombëtare dhe çmime vjetore të organeve letrare; ndër to mund të përmenden: Çmimin e Parë për tregimin, “Ëndërra të Varfëra” marrë ne konkursin e Fakultetit të Filologjisë; Çmimin e Parë për tregimin, “Mall” në konkursin kombëtar të ushtrisë; Çmimin e parë për novelën, “Borë e Pashkelur” në konkursin kombëtar.

Çmimin e Dytë për novelën, “Era e Fortë” në konkursin kombëtar; Çmimin e Dytë për novelën, “Vija e Ujit” në konkursin kombëtar; Çmimin e Dytë për novelën, “Erë e Fortë” në konkursin kombëtar; Çmimin e Dytë për romanin, “Shtëpia” në konkursin kombëtar; Çmimin e Tretë për tregimin “Oxhaku” në konkursin kombëtar.

Çmimin e Tretë për tregimin, “Kur Vinte Pranvera” në konkursin kombëtar; Çmimin e Parë Vjetor për tregimin, “Vishnja Pikonte Gjak” dhënë nga revista Shqiptarja e Re; Çmimin e Parë Vjetor për tregimin, “Kali im i dashur” dhënë nga revista Pionieri; Çmimin e Dytë Vjetor për tregimin, “Kush është heroi” dhënë nga gazeta Drita; Çmimin e Dytë Vjetor për tregimin, “Zëri” dhënë nga revista Nëntori.

Çmimin e Dytë për dramën, “Fytyra e Natës”, në konkursin kombëtar të dramës; Çmimin e Dytë për dramën, “Fanitja” në konkursin kombëtar të dramës. Ka marrë 2 Urdhëra Pune si edhe Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Parë.

Ka qëndruar për shumë vite në bazë, është kritikuar rëndë për tregimin, “Ëdërra të Varfëra” nga kritiku Razi Brahimi si një tregim dekadent ku nuk përfaqësoheshin idealet e rinisë së kohës komuniste, por jepej me ngjyra pesimiste bota e brendshme e personazhit.

Është kritikuar rënde novela, “Mëngjesi i Largët” në një plenium të Lidhjes se Shkrimtarëve nga kritiku Adriatik Kallulli dhe Bedri Dedja duke e konsideruar novelën si një krijim me ngjyra të errëta dekadente dhe që personazhi kryesor mblidhej në botën e tij shpirtërore duke rënkuar nga një dashuri e pafat, në vend që të jepej pasioni revolucionar (aq i kërkuar i kohës) dhe dashuria e tij për nxenesit si mësues.

Për novelën e lartpërmendur, njeri nga recenzentët shkruante, duke përsëritur pothuajse të njëjtat vërejtje të pleniumit për letërsinë, madje, duke shkuar më tej dhe duke e cilësuar novelen të rrezikshme po të botohej dhe për botimin e saj do të mbante përgjegjësi jo vetëm autori, por edhe shtëpia botuese.

Megjithatë, novela u botua dhe pati sukses nga lexuesi. Poashtu është kritikuar për tregimin, “Drite në Fushe” si prishës i moralit të familjes socialiste.

Për romanin, “Legjenda e Vadave” ka vuajtur mbi 2 vite para se ta botonte dhe është hequr nga çmimi i tretë ne konkursin kombëtar në çastet e fundit.
Gjithashtu mbas shumë përpjekjesh ka mundur të botojë novelën, “Mjeshtër Danai” që pengohej të botohej si libër nga shtëpia botuese, “Naim Frasheri” me vërejtje absurde./gazetashqiptare


Lexo edhe:

FOTOGRAFI RRËQETHËSE NGA VITI 1991 KUR “NDËRROI JETË” DIKTATURA…

ObserverKult