Këngëtarja braziliane, Marilia Mendonca, ka ndërruar jetë në një aksident ajror.
Zyra e shtypit e Mendonca-s tha në një deklaratë se avioni me të cilin po udhëtonte u rrëzua në shtetin Minas Gerais në Brazilin juglindor, transmeton ‘lapsi.al’.
Gjithashtu, bashkë me të vdiq dhe producenti i saj, Henrique Ribiero, një nga xhaxhallarët e saj i cili punonte me këngëtaren dhe dy pilotët.
Këngëtarja braziliane, Marilia Mendonca, u bë e famshme për stilin e muzikës country braziliane “sertanejo”, duke fituar një Grammy Latin 2019 për një album në këtë kategori.
—————————————–
LEXO EDHE: NDËRRON JETË HISTORIANIA LIRI LUBONJA, E ËMA E FATOS LUBONJËS
Lajmin e ka bërë me dije djali i saj, Agim Lubonja përmes një postimi në rrjetet sociale.
“U prehsh në paqe nënë e dashur”, shkruan Agim Lubonja në statusin e tij në “Facebook”.
Lubonja ishte një historiane dhe gazetare në Shqipërinë komuniste. Ajo ishte e martuar me Todi Lubonjën. I cili, në vitin 1973, u shkarkua nga posti i drejtorit të televizionit dhe u dënua me 15 vite burg.
Duke qenë që nuk pranoi ndarjen me Todin, ajo si gjithë familja, vuajti persekutimet e regjimit. Në vitin 1973, përjashtohet nga partia, ku ishte pranuar që në vitin 1944. Dhe internohet familjarisht në Lezhë, pasi iu komunikua shpërngulja në mars të atij viti. Nga Instituti i Historisë ku punonte para 1973, nis punë në një magazinë bujqësore në Lezhë në tetor të 1973, transmeton ‘panorama.com.al’.
Në korrik të vitit 1974, arrestohet i biri, Fatos Lubonja dhe pas dy ditësh, bashkëshorti, Todi. Liria dhe djali tjetër, Agimi, detyrohen të lirojnë banesën në Lezhë.
Në vitin 1982, i dëbojnë në Fishtë. Internimi përfundon në vitin 1989. Në vitin 1987 ishte liruar nga burgu, Todi Lubonja.
Ajo është krijuesja e disa veprave letrare, si “Larg dhe mes njerëzve”. “Kujtime internimi 1973-1990“ dhe “Kohët e reja, kujtimet e vjetra“.