Ndërron jetë mjeshtri i skenës teatrore, Abdyl Plakolli

Kolegët e përshkruajnë si mjeshtër të zotin të skenës. Pos kësaj, përvoja e kishte shndërruar në një person që u jepte vullnet edhe aktorëve para shfaqjeve. Për afro katër dekada kishte punuar në atë që njihej si Teatri Krahinor Popullor, e pas luftës së fundit si Teatri Kombëtar i Kosovës. Një kohë të gjatë ishte edhe shef i skenës. Abdyll Plakolli vdiq të shtunën. Ai ishte 75 vjeç. Lidhja e tij me teatrin nuk ishte shkëputur asnjëherë. I pensionuar më 2010, Plakolli përcillte çdo premierë e vizitonte shpesh ish-kolegët, transmeton ‘koha.net’.

I lindur në Vushtrri, pa i mbushur të njëzetat do të shkonte në Kroaci. Për dy vjet kishte punuar në klubin e boksit ku ushtronte boksieri me nam botëror, Mate Parlov. Madje, i riu Plakolli, në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar, kishte krijuar njëfarë miqësie me fituesin e medaljes së artë olimpike, Parlov. I kishte rastisur edhe të flinte në shtëpinë e tij. Më pas do të niste të punonte në Arenën e Pulas në Kroaci. Amfiteatri që ishte ndërtuar në shekullin I para erës sonë ishte një prej markave kulturore si aset i trashëgimisë kulturore e vatër festivalesh në krejt ish-Jugosllavinë. Aty Plakolli do të mësonte për skenën për t’u shndërruar në një mjeshtër të saj. E në fillim të viteve ‘70 do të kthehej në Kosovë. Shpejt do të bëhej punonjës i atij që ishte Teatri Popullor Krahinor.