Ndërron jetë në moshën 84-vjeçare mjeshtri i valles shqiptare, Besim Zekthi

Një lajm i hidhur për artin dhe kulturën shqiptare. Këtë të diel është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare mjeshtri i valles popullore mbarëshqiptare, Besim Zekthi. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

“Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë njofton ndarjen nga jeta të mjeshtrit të valles popullore mbarëshqiptare, “Nderi i Kombit” – Besim Zekthi”, njofton Teatri i Operës.

Artisti Besim Zekthi humbi betejën me sëmundjen e rëndë, duke lënë pas një histori dhe një emër të paharruar për artdashësit shqiptarë. Ai ndërroi jetë një orë më parë në shtëpinë e tij në kryeqytet.

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor,  i ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe admiruesve të artit, të cilët nuk i kursyen duartrokitjet për talentin dhe mjeshtërinë që kishte, Besim Zekthi, i cili mbante edhe titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama kanë shkruar në faqet e tyre zyrtare në “Facebook”, ndërsa shprehen se ikja e Zekthit është lajm trushtues për artadashësit shqiptarë.