Ndoc Gjetja: Ëndërroja t’jem burri i një gruaje…

ndoc gjetja
Ndoc Gjetja - foto nga Kolec P. Traboini Athine, qershor ,1993


Poezi nga Ndoc Gjetja

Dikur ëndërroja të kem një magnetofon Stereo,
tani që e kam, e ndez një herë në muaj,
Eh, sikur të isha poet! – pëshpërisja shpesh me vete,
dhe tani gjithnjë e me rrallë shkruaj.

Dikur ëndërroja të jem burri i një gruaje të bukur
dhe prisha shtatë palë këpucë duke i shkuar pas,
por ja një ditë te faqja ku e pata puthur
ëndrra ime u bë dhe ngeli pas.

Pastaj ëndërrova të shkoj një ditë jashtë shtetit
dhe pasi shkova në Berlin, në Zyhri, në Vjenë,
sa i rëndomtë më dukej ky trualli i planetit
dhe ëndrra tash është spostuar në hënë.

Kështu çdo ëndërr që më pati vluar në zemër
u përdhos nga prekja e sendeve me duar.
Ç’mu desh që e hodha edhe këtë vjershë në letër,
Më e bukur ishte kur s’e kisha shkruar!

*Titulli i origjinalit: “Konkretizimi i ëndrrave”

ObserverKult

—————-

LEXO EDHE:

Ndoc Gjetja: Më në fund u plakëm grua…

ndoc gjetja

Më në fund u plakëm grua,
siç e sheh dhe vetë
me thinja të bardha e rrudha
na mbushi kohë e sertë.

Dhe shëtitjet i rralluam
nëpër dhomë vijmë përqark,
dhe në vend të tyre shtuam
kollën dhe kafenë me pak.

Sa më ka marrë malli, grua
të zemërohem qoftë dhe kot,
si dikur atje tek udha
kur të shihja me një shok.

Ne kemi vite që pasqyrën
e përdorim shumë rrallë
se kemi sytë e njëri-tjetrit
fytyrat tona për t’i parë.

*Titulli i origjinalit:”Pleqërishte

ObserverKult


Lexo edhe:

RUDOLF MARKU: NDOC GJETJA NUK ISHTE POET I VETMUAR E AS I BRAKTISUR….