Ndoc Gjetja: Kur fillova nga pak të vdisja

Ndoc Gjetja
Ndoc Gjetja - foto nga Kolec P. Traboini Athine, qershor ,1993

Kur fillova nga pak të vdisja
mbaj mend, ka qenë e enjte
vetëm ty pranë të kisha
rrije në këmbë dhe heshtje. 

Në sytë e tu binte borë,
në fytyrë të fryu Veriu,
unë te brinjët vura dorën
ndjeva zemrën që mërdhiu.

Mbaj mend si e hape derën
si e tërhoqe pas dhe ike,
në palcë të ëndrrës ndjeva therrje
që më vonë m’u bë kronike.

Që ta marr pakëz veten,
vazhdimisht më sjellin njerëzit
reçel të ëmbël buzëqeshjesh
dhe ca pako me ngushëllime.

Përherë i lë në tryezë pa hapur
kompostot me lëng entusiazmi,
e nuk i prek me dorë fare
pjatat plot me optimizëm.

Ah, e humba krejt oreksin
nga ky virus shpirtëror i dhembjes,
me zor flas e me zor qeshi
më kot rri në tryezë të jetës.

ObserverKult


Ndoc Gjetja

Lexo edhe:

JETA E VËSHTIRË E POETIT TË MADH: NDOC GJETJA I DËSHPËRUAR DHE I BRAKTISUR…KUJTIMET E MIKUT

Nga Kujtim Dashi

Kishte filluar periudha e vështirë e tranzicionit të pasegmentarizuar shqiptar, ose siç thoshim në mes nesh, e “shkrepjes së demokracisë”. Pas mbylljes së revistës “Skena dhe ekrani” në mars të vitit 1992, Ndoc Gjetja mbeti pa punë, kaloi në asistencë sociale, e cila ishte e mjaftueshme sa për të siguruar vetëm thelën e bukës thatë e për të mbajtur frymën gjallë.

Ndihej shumë i dëshpëruar, i braktisur si rrallëherë në jetën e tij. Kolegët e tij, ose “Zabelinët” shqiptarë, siç pata evokuar në një shkrim timin që u mirëprit nga opinioni, figurën e inxhinierit rus te drama e mirënjohur “Orët e Kremlinit”, duke mos bërë pazar me veten e tyre, shisnin trotuareve të kryeqytetit shqiptar banane, ndërsa “heronjtë e partive”, pa asnjë vepër, jo vetëm kaq, por që s’iu kishin thënë, bie fjala, njëherë plaç shefave të tyre, tragjikisht iu turrën tribunave dhe bënin ligjin ngado… Edhe djalin, Renin, e kishte pa punë, ndërsa gruaja merrte një rrogë qesharake. Kisha kohë pa e takuar dhe më kishte marrë malli…

Tekstin e plotë mund ta gjeni KËTU