Ndodh shpesh që i vrasim dashuritë, poezi nga Sokrat Habilaj

sokrat habilaj pasi

Sokrat Habilaj: Ndërsa duhemi

Ndodh shpesh që i vrasim dashuritë,
I vrasim dhe kur e duam pa fund dikë.
Thjesht duke u puthur ne i zëmë pritë,
Dhe hapim plagë që nuk mbyllen më.

E vrasim atë që e duam, pa bërë luftë,
Nëse është nopran, a në është kryeneç.
Ia lëmojmë tiparet të gjitha butë-butë,
Derisa e kthejmë në pllajë të sheshtë.

Kur vrasim nuk ndjejmë faj, as mëkat,
Se fundja, vrasja s’na erdhi nga plumbi.
E prapë puthemi, të përpiktë në shtrat,
Askush nuk fitoi e askush nuk humbi.

Pse duhet të mendojmë nëse ai përbri,
Vazhdon të ketë ndonjë tipar të vjetër?!
Pse duhet të mendojmë edhe për tradhti,
Se mbase dikur ne deshëm një tjetër?!

Më pas, të kthyer si argjilë, pa forma,
S’e njohim më veten, s’na njeh as Zoti.
Hëna zbret nga qielli, si grua ndoshta,
Në cep të shtratit tallet:-Sa burrë koti!

Prapë puthemi me atë që kemi në krah,
Dhe prapë vritemi pa pyetur për lutjet.
Një grua mund ta duash për gjithçka,
Faleminderit ty që s’m’i preke huqet!

ObserverKult

Lexo edhe:

SOKRAT HABILAJ: PASI E KUPTOVA SE SA BORXHLI TË ISHA…

SOKRAT HABILAJ: TI S’BËHESH KURRË “ISH”…