Ndriçim Xhepa: Interesi për filmin është zbehur, ja ç’më tha im bir!

nora Artisti i njohur shqiptar, Ndriçim Xhepa i ftuar në emisionin “Ka Motor’” që moderohet nga Ana Haxhimali ka folur për jetën e tij artistik në teatër dhe film.

U mbajt në Pallatin e Kulturës në Kamzë, një takim mbi letërsinë e kinematografinë. Ndriçim Xhepa foli për atë çka ka ndodhur me prodhimet filmike pas ’90-ës, transformimin e ish-Kinostudios në terren për televizione si dhe ceku debatin për filmat që u realizuan në diktaturë.

“Përtej gardhit” të metropolit, drejt Kamzës së Tiranës, Liridon Mulaj tenton të zmbrapsë retë e harresës.

Në Pallatin e Kulturës një ‘fllad’ bisede për letërsinë e kinemanë i sjell banorët më pranë ngjarjeve të kulturës.

“Aktivitetet kulturore dhe sportive duhen nxitur, dhe mesa kuptoj edhe kryebashkiaku ka dëshirë për të zhvilluar nisma të tilla, pasi duhet ta pranojmë që për një sërë arsyesh (tranzicioni, prona, politika etj.) kanë qenë të pakta”, shprehet aktori Ndriçim Xhepa

Padyshim një prej shtyllave më të forta filmit, por edhe teatrit vendas, Ndriçim Xhepa, me modesti në këtë tryezë, ndërton tablonë e asaj që ka ndodhur me artin e kinematografisë, prodhimin në zbehje.

“Pas vitit 1990 është prodhuar pak, ka pasur vite që s’ka pasur asnjë prodhim, vite të tjera që mezi është bërë një dhe mandej pas viteve 2000 diçka filloi, dy filma dhe ka mbërritur tani që mund të jenë tre apo katër, sepse ka të bëjë gjithçka me financat”, shprehet aktori Ndriçim Xhepa.

Dikur një pikë referimi prej nga u ‘ngrit’ kinematografia shqiptare, e ku ndoshta artistët ëndërronin bulevardin e tyre të yje, si “Walk of fame” në Hollywood, me keqardhje ai shikon transformimin e ish-Kinostudios sot.

“Kinostudio pësoi të gjithë atë transformim të jashtëzakonshëm i gjithë territori i saj nuk u pushtua më nga puna për filmin, por nga televizionet private”, thotë ai.

Në ish-Kinostudion e dikurshme, gjendet edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë, aktualisht në kërkim të një kryetari.

“Ne jemi një shtet i tillë që për kinematografinë japim 1 milion euro në vit. Ndërsa Maqedonia jep 6.5 milionë euro. Jemi para zgjedhjes së një drejtori të ri për filmin, aty ka një bord, supozojmë se vjen dikush me një skenar, regjisor, etj dhe fiton financimin nga QKK, pas kësaj filmi kalon në pronësi të institucionit”, shton më tej Xhepa.

Siç ndodh edhe jashtë Shqipërisë, Xhepa përpjekjet për të bërë filma i shikon edhe tek iniciativat private, sjell në vëmendje këtu edhe filmin “Në kuadër të dashurisë” me protagonistë Olta Gixharin e Luiz Ejllin, ku luan edhe vetë.

“Kam përshtypjen se njerëzit shkuan goxha ta ndiqnin, përfshirë këtu edhe rininë, duke pasur edhe atë nxitjen e personazheve kryesore që ishin dhe tek Big Brother i vitit të kaluar, protagonistë dhe aty për mënyrën se si ishin qasur ndaj njëri-tjetrit, me sherret, ëmbëlsinë, thartinë mes tyre.”, shprehet Xhepa.

Interesin në rënie të spektatorit, ku ndryshe nga ç’ndodhte dikur, radhët e kinemave janë të zbrazura i shikon të lidhura edhe me mungesën e një rrjeti shpërndarës.

“Kishte kinema nga Bajram Curri në Sarandë. Sot kush ka dëshirë mund t’i shikojë edhe në kanale televizive filmat, por mesa vërej nuk kanë ndonjë interes të madh.

I thashë një ditë, eja shikoje se qenka babi, jam munduar shumë për atë film. ‘Po ja ku e kam babën, e shikoj këtu’- më tha”, tregon aktori me humor.

Që nga ’45-a në vitin 1990 janë 4024 filma të arkivuar.

“Sa i përket filmave të asaj kohe, mund të themi se ka filma të mirë, të dobët dhe shumë të dobët. Ashtu siç ka një përqindje të mirë filmash ekstremisht të politizuara por me cilësi të mirë. Ideja për t’i fshirë është shumë drastike dhe e gabuar sipas meje.

Sigurisht që mund të arkivohen, të përdoren më tej për studime, apo të shfaqen me shënime përkatëse. Ka shumë mënyra, por ideja për t’i fshirë më duket ekstreme”, shprehet Xhepa.

Në takim ishin të pranishëm dhe autorët Ahmet Prençi dhe Ylljet Aliçka, ku u diskutua për romanet e tyre më të fundit dhe filmin “Kronikë provinciale” me skenar të Aliçkës.

Videon e plotë mund ta shikoni duke klikuar KËTU: /shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

YEHUDA AMICHAI: PROVO TË MBASH MEND DISA HOLLËSI…

Poezi nga Yehuda Amichai

Provo të mbash mend disa hollësi. Mos harro veshjet
e asaj që ti e do
kështu që në ditën e ndarjes të mund të thuash: herën e fundit
kishte veshur filan xhaketë ngjyrë kafe, mbante kapele të bardhë.
Provo të mbash mend disa hollësi. Sepse ato nuk kanë fytyrë
dhe shpirti i tyre është i fshehur dhe të qarat e tyre
janë të njëjta me të qeshurat e tyre,
dhe heshtja e tyre dhe britmat e tyre ngrihen në një lartësi
dhe temperatura e trupit të tyre është ndërmjet 98 dhe 104 gradë
dhe ato nuk kanë jetë jashtë kësaj hapësire të ngushtë
dhe ato nuk kanë asnjë imazh të gdhendur, asnjë ngjashmëri, asnjë kujtesë
dhe ato kanë gota prej letre ditën e gëzimit të tyre
dhe gota letre që përdoren vetëm një herë.

Provo të mbash mend disa hollësi. Sepse bota
është e mbushur me njerëz që ishin dërmuar nga gjumi
pa pasur askënd që t’ua mëkojë lotin,
dhe ndryshe nga kafshët e egra ata jetojnë
secili në vendin e tij të fshehur të vetmuar dhe ata vdesin
së bashku në fushat e betejës
dhe në spitale.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult