Ndue Dedaj: Anton Çetta, bacë, nuk u krye!…

Ndue Dedaj


Nga Ndue Dedaj

Asgjë nuk është më e pabesueshme, kur flitet për krimin në familje. Familjarët kriminelë përdorin mënyrat më të djallëzuara e shnjerëzore për të vrarë të vetët. Gruaja e re me emrin Liridona, nënë e dy fëmijëve, në Kosovë, nuk e gëzoi dot as lirinë e as jetën, pasi ia mori i shoqi, gjatë një krimi të inskenuar, sikur makina e tyre familjare ishte grabitur dhe kishte e mbetur e vrarë gruaja e tij.

Në krim u përfshinë dhe dy të tjerë. Me lehtësinë më të madhe u bënë bashkë tre burra për të hequr qafe një grua, vrasësi me pagesë, që i ishin premtuar 30 mijë euro dhe nipi i burrit vrasës. Çdo javë, për të mos thënë çdo ditë, lajmërohen krime të tilla të shëmtuara, ku më së shumti protagonistë të tyre janë burrat e dhunshëm.

Nuk ka mbetur zonë e Shqipërisë pa u përgjakur nga krimi në familje. Krimi në familje ndër shqiptarë vret dhe në Evropë, ku vetëm në Itali kohët e fundit janë kryer disa vrasje grash shqiptare nga bashkëshortët. Bëhet fjalë për dhjetëra e qindra gra të vrara nga “lufta” më e pakuptimtë dhe më mizore mbi dhé. Lufta që ka vrarë më parë dashurinë…

Anton Çetta e kreu misionin e tij më 1990, në pajtimin e gjaqeve dhe hasmërive mes familjeve të ndryshme në Kosovë, por plasën vrasjet brenda familjes. Vrasja hyri në shtëpi, si në kohët e lashta, në tragjeditë antike – burri vret gruan, ati vret të bijën, vëllai vret të vëllanë etj. Dhe shteti modern nuk e ndalon dot “masakrën” familjare, as në Shqipëri e as në Kosovë. Ndaj, Bacë, nuk u krye pajtimi!…

Pajtimin tënd të madh e morën peng vrasësit e familjes, ata që derdhin gjak dhe lënë jetim fëmijët e tyre. Kjo është tragjedi, Bacë, tragjedi e pashembullt e kohës moderne, që nxiton të bëjë gjera të mëdha, shqiptarët të hyjnë në familjen europiane, europianët të globalizohen.

Por nuk ka familje europiane për shqiptarët pa mbajtur gjallë, shëndosh e të pavrarë familjen e vogël të secilit nga ne. Sa tubime paqeje janë mbajtur, sa fjalë janë thënë për ta mbrojtur jetën në përgjithësi e atë të grave në veçanti, por asgjë nuk ka ngjitur. E mira është aq larg!

Mjerisht, nesër, pasnesër, do të njoftohen të tjera krime të llahtarshme. Kanë rënë të gjitha fjalët e urta, filozofitë dhe kauzat e mbrojtjes së familjes. Ajo nuk është më e shenjtë për vetë familjarët vrasës. Shtetit i rrofshin ligjet, policia, gjykatat! Shoqërisë civile, thirrjet, manifestimet nepër salla e rrugë. Në të tjerëve, shkrimet e librat me anë të të cilave synojmë të ndikojmë te njeriu, shoqëria…

ObserverKult


Lexo edhe:

REKOMANDIME LEXIMI NGA NDUE DEDAJ