Rekomandime leximi nga Ndue Dedaj

Ndue Dedaj

Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafir i ObserverKult është shkrimtari Ndue Dedaj

Ja cilat janë librat që Dedaj u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

————————————————–

Kur nga redaksia e portalit “Observekult.com” (Kosovë) m’u propozua që të shkruaja për rubrikën “Rekomandime leximi”, ku i sugjerohen lexuesit tre libra për lexim, vetvetiu më shkuan sytë nga raftet e librave të bibliotekës familjare. Çfarë të zgjedhësh më parë? Tre libra nga autorët e traditës, apo ata bashkëkohorë? Shkrimtarë shqiptarë apo të huaj? Nobelistë apo autorë “rebelë” ndaj çmimeve? Dramaturgë e komedianë, apo shkrimtarë të letërsisë për fëmijë? Pse jo dhe libra të miqve tanë shkrimtarë, përherë e më të afirmuar.

Nga Ndue Dedaj

Njeriu mund të ndihej disi rehat nëse do t’i kërkoheshin të listonte të paktën tridhjetë libra që i kanë mbetur në mendje dhe, disi i plotësuar, nëse kjo listë do të shkonte deri në treqind. Mirëpo nuk do t’i thuash të gjithë titujt e duhur ti, çka do të ishte e pamundur për cilindo. Prandaj rekomandojnë bibliotekat, botuesit, shkrimtarët, profesorët e letërsisë, vetë lexuesit.

Asnjëherë nuk mund të ketë një listë të përkryer, përfundimtare të rekomanduar nga individë apo institucione të librit e letërsisë. Letërsia artistike është e pafundme, le pastaj botimet në tërësi, ku futën dhe ato shkencore, enciklopedike etj. Nga ta fillosh, pra? Nëse do të ishte fjala për letërsinë bashkëkohore, a mund të mos nisesh nga Kadare, shkrimtar i përmasave europiane, me rrezatim në letërsinë botërore. Apo Mitrush Kuteli, Petro Marko, Martin Camaj, Jakov Xoxa, Kasëm Trebeshina, Adem Demaçi, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Adelina Mamaqi, Edi Shukriu, Natasha Lako, Frederik Rreshpja, Luan Starova, Fatos Kongoli etj. Emrat gjithmonë janë një “kurth”, pasi përmend pesëmbëdhjetë e lë pa përmendur njëzet a tridhjetë të tjerë po kaq të vlefshëm.

E njëjta gjë dhe po të shtyhemi më përpara në kohë, te De Rada, Serembe, Elena Gjika, Naimi, Fishta, Noli, Konica, Mjeda, Migjeni, Kokalari, Lasgushi, Koliqi, Çabej etj. Ndërsa po të hidhemi te shkrimtarët e parë të letërsisë shqipe, atëherë nuk ka “përzgjedhje”, por duhen thënë të katër të mëdhenjtë e saj: Buzuku, Budi, Bogdani dhe Bardhi.

Por pse të zgjatemi? Neve nuk na është kërkuar të bëjmë historinë e letërsisë, as të përpilojmë ndonjë antologji të saj, por thjeshtë të rekomandojmë tre libra që mendojmë për lexuesin dhe kaq. Befas kujtohesh së në memorien tënde janë shtresëzuar disa tituj librash, që shpesh nuk është nevojshme as t’ua përmendësh autorin, si: “Meshari”, “Sibilat”, “Këngët e Milosaos”, “Lahuta e Malësisë”, “Vargjet e lira”, “Tregtarë flamujsh”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Gjarpërinjtë e gjakut”, “E madhe është gjëma e mëkatit”, “Lumi i vdekur”, “Lum Lumi”, “Pelegrini i vonuar”, “Dhjata ime”, “Rrno veç me tregue” etj. Ah, edhe titujt janë një “kurth” tjetër, sepse sapo të shënosh disa si më sipër, do të kujtohesh se ke lënë të tjerë e të tjerë…

Por, gjithsesi, rubrika “Rekomandime leximi” e do një përgjigje fikse, ndaj ne po vihemi në kërkim të titujve që na intrigojnë më shumë në këtë rast:

“Libri i Himnit Kombëtar”, Asdreni

Himnin Kombëtar na duhet ta kemi libër. Le të jetë aty teksti i Himnit i shkruar nga Asdreni, le të jetë dhe historiku i tij me detaje (si u ngjiz teksti, si u përshtat muzika), e rëndësishme është që ta kemi Librin e Himnit të Flamurit, paçka numrit të fletëve. Ai është psalmi i “liturgjisë” së të gjithë shqiptarëve, kudo që rrojnë, në Shqipërinë e këtushme, në Kosovë dhe trojet e tjera etnike shqiptare jashtë kufijve shtetërorë.Ta marrin me vete emigrantët tanë kudo që ngulën në botë, si gurin e themelit të shtëpisë nga kanë dalë. Ta kenë dhe me CD shkollat e diasporës, që me siguri e kanë, ndryshe pse i kemi ambasadat, shoqëritë atdhetare – kulturore në Evropë e Amerikë etj. Himni i Flamurit do të ishte dhe kryelibri shqiptar, ku Asdreni do ta na e falte “bashkautorësinë” me të, pasi kemi mbi një shekull që e këndojmë. I vetmi libër i shkruar dhe i kënduar njeherësh.

Doemos që Himni Kombëtar në vetvete është libër e shkuar librit dhe pa qenë i tillë, por le të jetë dhe si një meshar, doracak. Le të jetë aty dhe Himni i shkruar nga Fishta, por dhe vjersha të tjera të asaj fryme. Kopertina e tij mund të ishte shqiponja që bëjmë me duar jo vetëm ne shqiptarët, por dhe të huajtë nga të katër anët e botës.

“Se Zoti vetë e tha me gojë…” na thotë Poeti i Himnit. A ka një varg më të famshëm, që tregon se ne ishim, jemi e do të jemi? Prandaj na duhet Libri i Himnit. Për të shpallur gjithmonë ekzistencën tonë si shqiptarë “të përbashkuar”, paçka ku rrojmë e si vijnë kohërat, globaliste, virtuale…

“Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit

I kemi dalë për zot ta themi historinë e Skënderbeut si Barleti e më mirë se ai, edhe pse jemi pesë shekuj më vonë se ati i historisë skënderbegiane. Bash për këtë libri i tij duhet lexur e rilexuar, sidomos në shkolla. Sot në bibliotekat tona besoj se mund të jenë mbi tridhjetë libra e librushka për origjinën e Skënderbeut, nga 4-5 për secilën trevë nga thuhet se ai mund të rridhte, Mat, Dibër, Mirditë dhe Has. Mirë që nuk është shtuar dhe ndonjë tezë tjetër e origjinës së tij.

Ndërkohë që Heroit Kombëtar as që i pati shkruar ndonjëherë ndërmend se ne do të ziheshim sot se nga cili “katund” ishte ai!? Kur ai ishte qytetar evropian i kohës së tij, kryekalorës i Evropës. Edhe pse janë shkruar qindra e mijëra libra për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, në disa gjuhë të botës, prapë se prapë Barleti duhet lexuar, pasi është në rend të parë. Nëse nuk nxisim leximin e veprave themelore kushtuar figurës dhe veprës së Gjergjit të Madh, atëherë do të lexojmë si me pahir librat që autorët e trevave na i lënë në duar, edhe pse mund të mos jenë historianë…

Është e habitshme se si ne jemi të dhënë kaq shumë pas origjinës “krahinore” së Skënderbeut, a thua se kjo na e bën më të afërt. Dhimitër Shuteriqi shkruan në një reportazh të vitit 1966: “Për Skënderbeun kam dëgjuar e biseduar shumë këto ditë në Mat. Edhe për Pal Engjëllin e Pjetër Budin… Pyesin edhe këtu për origjinën e familjes së Kastriotëve, siç më kanë pyetur në Kurbnesh, Kukës, Rrëshen. Pse historianët t’i kenë nxjerrë Kastriotët nga Mazreku i Hasit? Edhe në Mat ka një Mazrek, më thonë. Historianëve, me sa duket, po u del dhe njëherë problemi i krahinës nga e patën origjinën Kastriotët”. (“Këngë në minierë”, f. 289.)

Nuk po duam të shohim si po na rrënohen kalatë e Skënderbeut, duke filluar nga ajo e Krujës, që i është gërryer dheu poshtë “këmbëve” nga veprimi i natyrës, pa nuk merremi sa duhet as me monumentet prej letre, siç janë vepra e Barletit, Frangut, Segonit etj. Sigurisht që dija, kërkimi shkencor në lëmë të historisë nuk do të ndalet asnjëherë, historianët kanë punë me arkivat, por asnjëherë nuk janë të tepërta veprat pararëndëse të fillesës, aq më tepër ato të bashkëkohësve më Heroin Kombëtar.

“Kanuni i Lekë Dukagjinit” i At Shtjefën Gjeçovit

Sabri Hamiti shkruan: “Duke njohur vlerat për identitetin e kulturës shqiptare të Historisë së Skënderbeut, Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe të Kangëve Kreshnike, unë me dashuri do t’ia dhuroja këtë komplet një të huaji, duke ditur që në to fshihen çelësat për shumë zhvillime dhe interpretime në jetën e në literaturën shqipe”. Ja, pra, për çfarë duhet lexuar sot Kanuni.

Për të kuptuar drejtësinë e jetës së malësorit shqiptar në Veri e në Jug, si ai sillej në një “shtet” që ishte vetëm Kanuni i sendërtuar prej tij. Sot sillemi më keq me shtetin që kemi, nuk e dëgjojmë, i bëjmë hile dhe padrejtësi, e vjedhim, i fshihemi, duke harruar se në njëfarë mënyre shteti demokratik jemi vetë ne qytetarët dhe jo veç institucionet e shtetit. Ky ishte dhe thelbi i Kanunit, fytyrëzuar te kuvendi, nga ai i odës familjare tek i Krahinës.

Doemos Kanuni nuk ishte qiellor, por produkt i një realiteti social tejet konfliktues për pronën, nderin etj., për shkak të rrojtjes së malësorëve në kufijtë e mbijetesës, por që përpiqej të bëhej përherë e më pak ndëshkues dhe gjithnjë e më shumë pajtues e civilizues, si në rastin kur ndalonte vrasjen e fëmijëve për gjakmarrje, vrasjen e cilësuar për fis etj. E kemi thënë dhe më herët, populli nuk kishte bërë ligje për të “vrarë” veten, sado vrasjeve të pashmangshme, që mjerisht ndodhin edhe sot.

Nuk i “trembej” emrit të Kanunit kreu i shtetit shqiptar Ismail Qemali, që ligjin themelor të shtetit të ri do ta quante “Kanoni i Zhurisë” (Kanuni i Jurisë). Kadare në romanin “Prilli i thyer” e ka dhënë kanunin pa glorifikim dhe ekzaltim, sigurisht me mjetet e letërsisë, duke u fokusuar te fati i parashkruar i njeriut të shënjuar nga gjakmarrja.

“Kanuni i Lekë Dukagjinit” sot vjen si një paketë, ku bashkë me të duhen lexuar dhe “Kanuni i Skënderbeut” i Frano Illisë, “Kanuni i Labërisë”, veprat e Ernesto Kozit e Zef Valentinit, kanunet e trevave të ndryshme mbledhur pas Luftës, studimet e Emid Tedeskinit, Ismet Elezit, japonezit Kazuhiko Yamamoto etj.

I kemi kushtuar dhe ne një libër, “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit”, për mos ta përfytyruar kanunin si një “cub” me pushkë në krah, që i ka zënë pritë qytetërimit modern. Ashtu siç do të ishte marrëzi të mendohet se Kanuni na vlen sot – ai nuk duhet keqkuptuar në atë çka ishte dikur dhe jo në ata çka sot nuk është kanun, por shpërdorim i tij.

Edhe pse nuk ka krahasim mes kanunit dhe shtetit të së drejtës, kuvendet e popullit kurrë nuk miratonin ligje për të favorizuar krerët (qeveritatët e kohës), siç ndodh sot që për interesa politike ndryshohet dhe Kushtetuta e republikës!? Shkrimtari Salvator Gjeçi në Lezhë po shkruan një libër, le të themi polemizues, pasi ka parë që Kanuni fshikullohet nga mosnjohës të tij si në 67-ën, për më tepër njerëz me ndikim në publik, si ministra e deputetë. Çudia është se Kanuni ka pushuar së ekzistuari, por jo keqinterpretimi dhe abuzimi më të si trashëgimi historike e shqiptarëve.

*

Së fundi, meqë vij nga një vend minierash, si Mirdita, më pëlqen që krahasimin e bibliotekave ta bëj me mineralet e rralla. Këtë ofron libri, sot e përherë. Ndaj tryezat tona të shkrimit janë plot me libra të hapur. Problem mbetet lexuesi. Sa më shumë ta ftojmë drejt librit, drejtpërdrejt, aq më mirë do të jetë. Sidomos nxënësit dhe studentët. Që tre librat e rekomanduar, nga njëri e nga tjetri nesh, në pak vite të bëhen treqind…

ObserverKult


Lexo edhe:

NDUE DEDAJ: DEJA, MALI I BORËS

NDUE DEDAJ: TI SHQIPËRI MË JEP NDER

NDUE DEDAJ: FJALË TË HUAJA “SHQIPE”