Nga Ndue Dedaj
Kemi ardhur në Podujevë të Kosovës, që ndryshe thirret Besiana. Ndalojmë te shqiponja në hyrje të qytetit, identike me atë që kishim në Tiranë para dy – tre vitesh, por që u hoq, kushedi pse, mbase ngaqë nuk ishte dhe aq “moderne” për sytë e ndokujt në qeveri, apo për t’iu hapur udhë ndërtimeve të reja që kanë përfshirë atë territor, si kudo në Tiranë.
Sidoqoftë mbeti emri. Takohemi te “Shqiponja” etj. Dhe nuk është e vetmja shqiponjë në këtë veri të Kosovës. Në fshatin Shamalluk, në kufirin ne Serbinë, hyrja e një resorti të ri është imitimi i një shqiponje.
“Përpiqemi të vëmë shqiponjë kudo ku mendojmë se simbolika e saj është me vend”, na thonë. Ndërsa flitet për shqiponjën si simbol, mendja të shkon te një “shqiponjë” njerëzore e pashembullt, që nuk ia mësuam emrin, por vetëm i dëgjuam këngën, martirizimin. Një nënë podujevase, që në Luftën e Kosovës e vranë me të katër djemtë e saj dhe dy miq të tyre që u ndodhën aty atë ditë, vetëm se flisnin shqip e ishin shqiptarë.
Shqiponja e skalitur haset gjithandej, në suvenire, në xhamadana dhe kësula të bardha, si ajo me të cilën u fotografua Papa Françesku pak kohë më parë, në ndërtesa e gjer krojet buzë rrugës… Ndaj dhe nuk duhej t’i dilte tepër shqiponja Tiranës, qoftë dhe për faktin se të huajt ende na thonë “vendi i shqiponjave”.
Nuk është një “shpend” që mund ta fshijë moderniteti. Imazhi i shqiponjës në flamur dhe në gur ka shtegtuar prej shekujsh ndër ne dhe tjetërkund në Europë dhe nuk është lodhur e mplakur aspak. Ndaj le ta kemi një shqiponjë në kryeqytet.
Bëni që t’i kthehet Tiranës shqiponja e saj!…
*
Është kënaqësi që në Podujevë të kesh si udhërrëfyes profesorin veteran të lëndëve sociale në gjimnaz, Raif Muçolli, tash në pension, me të cilin jemi takuar dhe para pesë vitesh po këtu, në dimër. Më tregon se në vitet ’80 një nxënës i tij ishte nisur të arratisej në Shqipëri dhe se kjo i kishte kushtuar dhe mësuesit, një masë ndëshkuese për mungesë vigjilence.
E pyes për ish-profesorin e letërsisë në gjimnazin e Rrëshenit, Ymer Llugaliu, që pati bërë burg politik në Shqipëri, më thotë se e ka njohur dhe kanë punuar së bashku njëfarë kohe. Kërkojmë gjithnjë libraritë, kur vemi në qytetet e Kosovës etj. Në Podujevë na treguan një dyqan ku shiteshin materiale shkollore, po ku kishte dhe një dorë librash për fëmijë të autorëve të traditës, si Bedri Dedja, Adelina Mamaqi, Odhise Grillo, Agim Deva, Rifat Kukaj etj.
Na thanë se nuk vinin më gazeta në qytet, bile nuk e dinin nëse shtypeshin më gazeta në Prishtinë, tash që shtypi është më së shumti online.
Shohim se qyteti i Podujevës ka ndryshuar në anën urbane, është ndërtuar godina e re e Bashkisë, si dhe shëtitorja kryesore për kalimtarët, ku në një lulishte “ta bën më dorë” Adem Demaçi, që dhe ashtu në bronz mban “Gjarpijt e gjakut” për trupi. Pak më tej është një tjetër memorial, kushtuar katër dëshmorëve, ish – drejtues të UÇK-së.
Instinkti i reporterit na shtyn të pyesim dhe për një bust të Albin Kurtit në Podujevë dhe na thonë se ai nuk është në ndonjë shesh publik, por në një mjedis privat. Pyesim ndërkohë për objekte muzeale dhe na përmendin “Kalanë”, një lloj fortesë në rrugën për në Nish.
Por e vjetra rri “fshehur” dhe aty ku nuk shihet më, qoftë dhe në mbiemrin Kola, përpara 13 brezave, që prinë trungun familjar të Raifit, ardhur nga Shqipëria, që atij vetë i duket si një legjendë dhe s’ka si të jetë ndryshe, pasi flitet për rreth treqind vjet më parë.
Por nuk është kështu e mjegullt origjina për dhjetëra familje muhaxhire shqiptare ardhur nga Toplica e Nishit, në vitin e largët 1878 e vendosur këtu.
Për njërin nga ata, Mehmetin 75-vjeçar, me mbiemrin Sfishta, kjo duket sikur të këtë ndodhur dje. Me të qeshur, të shpërngulurit nga Nishi para një shekulli e gjysmë, e quajnë veten emigrantë në Kosovë.
Por, gjithsesi këto janë lëvizje brendapërbrenda “shtëpisë” tënde, trojeve shqiptare, ndërkohë që dramatike kanë qenë shpërnguljet e përdhunshme të shqiptarëve në Turqi etj.
Teksa kalojmë nëpër fshatin Balloc, na thonë se në vitin 1912 këtu dhe në krejt krahinën e Llapit nuk kishte asnjë familje serbe, më pas popullsia jo shqiptare shkoi deri në 30 përqind.
“Nuk flinim gjumë gjithë natën nga gëzimi kur nana na thoshte se të nesërmen do të shkonim te daja”, thotë profesori i moshuar nga Prishtina, Sulejman Zogiani, për ta na dhënë të kujtojmë se e tillë ishte ndjesia e pritjes dhe me ardhë në Shqipëri, ku “sa herë vij më duket si hera e parë”, shton ai, ndjesi që e kemi dhe ne sa herë vemë në Kosovë.
Thotë se i pëlqen shumë bregu i detit, soditja dhe meditimi me një kafe përpara, bisedat me miq e të njohur. Nuk me ngjit askund si në vendin tonë, edhe pse kam njerëz të mitë dhe në vende të tjera. Sula është kryetar i shoqatës së bletarisë së Kosovës.
Ka ardhur të përshëndesë tubimin e bletarëve të Llapit, ndër të cilët dhe mjaft gra, ku veçon profesorin e bletarisë nga Lezha, Dr. Prengë Pepa (autor i manualit për bletarinë), i cili është e treta herë që vjen këtu për ligjërata mbi mbrojtjen e bletëve nga sëmundjet etj., ashtu siç mbulon krejt Kosovën me trajnime të tilla prej vitesh.
Motoja e bletarëve është: “Me bletët ndihmojmë veten, natyrën dhe gjithë njerëzimin”. Është mjaft interesante të marrësh pjesë në një kuvend për bletën, për më tepër që takimi zhvillohet në sallën e Kuvendit Komunal, ku përshëndet drejtoresha e Bujqësisë, Liria, si dhe vetë kryetari i Komunës Shpejtim Bulliqi.
Kanë ardhur dhe bletarë ngë Lugina e Preshevës. “Bleta nuk njeh kufi”, thonë folësit në tubim.
Një fakt që shkon te simbolika. “Ka ndodhur bashkimi i bletarëve të të gjitha trojeve, – thotë Selami nga Bujanovci, – pse jo në të ardhmën dhe bashkimi i shqiptarëve”, ndërkohë që nën shembullin e tyre do të ishte e udhës të tuboheshin e bashkëpunonin edhe agrobizneset, pylltarët etj., pa shumë protokoll, pasi dy qeveritë, e Shqipërisë dhe e Kosovës, dhe janë mbledhur ndonjëherë, por më shumë sa për “sytë” e të tjerëve.
Politikës i mbetet “hatri” shpejt, nga qendrimet që mban njëra apo tjetra palë, kurse njerëzit jashtë politikës janë vëllezër të njëmendët dhe bashkëpunues të hapur.
Pyesim shpesh në Kosovë: “Si shkojnë punët?” dhe marrim përgjigjen: “Shqiptarçe”, duke nxituar të shpjegohen, që të mos krijohet keqkuptim: “Punojnë keq ata në krye!” Janë fraza pa një adresim konkret, por ata që janë në krye kanë emra, si në pushtetin qendror dhe atë qendror.
Podujeva si komunë (qyteti dhe 77 fshatrat e saj) ka pasur 110 mijë banorë, tani ka rreth 70 mijë. Është njëqind kilometra nga Prizreni.
Drekën me bletarët e hëngrëm në “Iliria” resort, që siç thonë e ka gjallëruar jetën, ka krijuar punësim, merr prodhimet e fshatit etj. Është asfaltuar kohët e fundit dhe rruga për në njërin nga skajet më veriore të Kosovës, duke bërë që turistët të vijnë lirisht.
Bletarët e kanë në praktikën e tyre të vizitojnë parqet e njëri – tjetrit, për shkëmbim përvoje. Kësisoj, jemi ndaluar për pak minuta në Prishtinë, në bletoren me rreth 300 zgjoje të Maliq Koskovikut, që si shumë të tjerë ka nisur të zbatojë “Api terapinë”, një shërbim i ri ndaj komunitetit, thënë shqip është “fryma” e zgjoit që merret nga hundët dhe lufton viruset dhe infeksionet e ndryshme te njeriu, nxit rigjenerimin e indeve, forcon imunitetin etj. Lënda që thithet quhet propolis, përndryshe, “antibiotik natyral”.
Aty në periferi përfitojmë nga rasti t’i bëjmë një fotografi rrugës që mban emrin e poetit nismëtar të Rilindjes, Ndue Bytyçi…
Mbasi kemi bërë treqind kilometra nga Podujeva, jemi kthyer në Tiranë në mbrëmje. Makina na le te “Shqiponja”, që nuk është më, por që duhet të jetë. Siç në Surrel është përuruar jo shumë kohë më parë memoriali me shqiponjë kushtuar ish – luftëtarëve të UÇK-së.
ObserverKult
Lexo edhe:
FAN NOLI: MARSHI I BARABAIT
Marshi i Barabait, poezi nga Fan Noli
Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!
Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,
Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe,
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!
O stërnip i Kainit, tepdil si bari,
Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi,
Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli;
O kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!
Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u-mallkofsh,
Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh,
Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u-shurdhofsh,
Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba!
O i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba!
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
GIOCONDA BELLI: NUK PENDOHEM PËR ASGJË
Poezi nga Gioconda Belli
Si grua që jam, më ndodh ndonjëherë,
të vëzhgoj tek gratë e tjera
gruan që mund të isha.
Gra të sjellshme, të munduara, bashkëshorte të mira
shëmbull virtyti, si nëna ime dëshironte.
Nuk e di pse, gjithë jetën
e kalova duke u rebeluar ndaj tyre.
Urrej kërcënimet, mbi trupin tim.
Faj, se jetët e tyre të përsosura
më frymëzojnë për çudi, ligësi.
Ngre krye kundër veprave të mira.
Kundër të qarave fshehur nga burrat.
Nga turpi i lakuriqësisë
poshtë të brendshmeve
hekurosur e ngrirë me niseshte.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult