Gioconda Belli: Nuk pendohem për asgjë

Si grua që jam, më ndodh ndonjëherë,
të vëzhgoj tek gratë e tjera
gruan që mund të isha.
Gra të sjellshme, të munduara, bashkëshorte të mira
shëmbull virtyti, si nëna ime dëshironte.
Nuk e di pse, gjithë jetën
e kalova duke u rebeluar ndaj tyre.
Urrej kërcënimet, mbi trupin tim.
Faj, se jetët e tyre të përsosura
më frymëzojnë për çudi, ligësi.
Ngre krye kundër veprave të mira.
Kundër të qarave fshehur nga burrat.
Nga turpi i lakuriqësisë
poshtë të brendshmeve
hekurosur e ngrirë me niseshte.
Megjithatë, gra të tilla më zhbirojnë,
ngrenë gishtin akuzues
nga fundi i pasqyrave.
Ndonjëherë, ul sytë fajtore nga vështrimi i tyre.
Dua të fitoj pëlqimin universal,
të jem “vajzë e mirë”,”grua e mirë”.
Gioconda e paqortueshme,
të kem dhjetë në sjellje,
nga partia, nga shteti,
nga miqtë,
nga familja, nga fëmijët
dhe nga gjithë qëniet
që popullojnë me bollëk këtë botë.
Në këtë kundërshti të pashmangshme,
mes asaj që duhet të jem dhe asaj që jam,
bëra beteja vdekjeprurëse, të panumërta.
Beteja me kafshime, ata kundër meje.
Ata kundër meje që jam vetvetja.
Me shpirtin plagë, shprishur,
rebeluar, planeve të stëgjyshërve.
Shqyej gratë që jetojnë brenda meje.
Që prej fëmijërisë më shohin vëngër.
Se guxoj të jem e marra,e pasigurta,
e butë dhe e pambrojtur.
Ajo që bie në dashuri si një putanë e trishtuar.
Me gjërat e drejta,
me burrat e bukur
dhe lodrat e fjalëve.
Se e rritur, guxoj të jetoj fëmijërinë e mohuar.
Kam bërë dashuri në zyrë,
mbi tavolinën e punës.
Kam thyer kufij të padhunueshëm.
Kam guxuar të shijoj
trupin e shëndetshëm dhe me trille,
me të gjitha genet që të parët më kanë dhënë.
Nuk bëj me faj kërkënd,
përkundrazi i falenderoj për dhuratën.
Nuk pendohem për asgjë, si Edith Piaf.
Por, nga puset e errët ku fundosem në mëngjes
sapo hap sytë.
Ndiej lotët që shtyhen të dalin,
megjithë lumturinë që kam fituar së fundi.
Shoh gra të tjera,
kur thyej kreshta e shtresa shkëmbore,
të shkallës së tretë a të katërt, brenda meje,
ulur në korridor duke më parë,me sy të lënduar.
Ndihem fajtore për lumturinë time.
Absurde,
vajza të mira më rrethojnë,
kërcejnë melodi fëmijnore
kundër meje.
Kundër kësaj gruaje të pjekur,të plotë,
grua me gjoks të fortë dhe ije të gjerë.
Për kënaqësinë e nënës dhe kundër saj,
kjo, më pëlqen të jem.

Në shqip: Miranda Içi