
Të krijosh domethënë ta zgjasësh kohën,
të luftosh harresën,
të ripërtërish jetën,
të shtegtosh nëpër histori,
t’i shtrish duart nëpër dëshira të paçelura,
të prekësh të ardhmen,
të mbledhësh thërrmija
e copëza të thyera jete
dhe t’i shndërrosh në një mozaik plot ngjyra.
Të krijosh domethënë sytë t’i ngulësh
në një fletë të bardhë, t’i ngulësh thellë,
si gozhdët në një mur,
ta varësh veten aty, si një shandan, të bësh dritë,
të kapësh me duar zemrat e plagosura,
zemrat e dashuruara, t’i shtrydhësh dëshirat e tyre
dhe me to të krijosh një vals të gjatë ekzistence.
Të krijosh domethënë ta ribësh veten tënde:
t’i mbledhësh gabimet dhe çastet e lumturisë
me duart e tua.
Të mësosh se në jetë ka ngjitje maleve të larta,
rrëshqitje teposhtë,
ku të presin tufa të egra që të ndjekin
me gozhdët e ndryshkura të urrejtjes.
Po, të krijosh domethënë të fitosh kohë,
të futesh në tunele të jetës dhe të dalësh prej tyre
në një kohë tjetër.
Dhe nëse diçka të ka mbetë peng, i shkund pemët e tua,
i shkund fort, duke i ngulë sytë
në ato vrimat e hapura të mungesës,
prej ku rrjedhin mistere, paqartësi,
ditë të zbrazëta
dhe lumenj në të cilët nuk u lave kurrë.
ObserverKult
Lexo edhe:






