reklamë

Ndue Ukaj: Letërsia e bën jetën më të vlefshme, më të bukur dhe më humane

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Ndue Ukaj.

–Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-Nuk e di nëse letërsia e gjeti udhën tek unë apo u josha nga bota e saj magjepse dhe rashë në dashuri me të, por e di se u futa në atë mbretëri të bukur, siç ndodh kur njeriu dashurohet.

Takimi i parë ndodhi në një kohë krize, që ishte personale e kolektive, një kohë thyerjesh të mëdha shpirtërore e rrethanash robëri, kur zymtësia kishte pushtuar gjithçka përreth meje, dhe letërsia, si një forcë drite, më thërriste drejt saj, duke më hapur një horizont të ri, teksa më magjepsë me lirinë shpirtërore që ma dhuronte, në një vend ku liria fizike nuk ekzistonte. Ishte njëlloj mrekulli e vërtetë, që të mos vdisja në terr. Kështu, i rrëmbyer prej saj, udhëtova nëpër ferrin e viteve të nëntëdhjeta, si gjimnazist e më vonë student i letërsisë, i përkushtuar kësaj bote, në kohë robërie e lufte. 

Pra, takimet e para, intensive, ishin në vitin 1992, kur mbarova shkollën fillore. Atë vit dyert e gjimnazit, për mua dhe brezin tim, u mbyllën, dhe këtu u mbyll edhe një kapitull i ëndrrave rinore. E përjetova rënien në ferrin e robërisë, prej ku duhej një udhërrëfyes që të dilja, ose, e pakta të besoja se një ditë mund të dilja. Ketë besim ma dha letërsia. Dhe pikërisht në këtë kohë, filloi të më magjepste një botë tjetër, e padukshme, një botë e krijuar prej gjuhës, një botë që kishte një raport të çuditshëm me realitetin, letërsia, një botë që nuk njihte kufij, që shtronte pyetje, pyetje të cilat të cytnin drejt shtigjeve të reja, për të kuptuar ekzistencën njerëzore – edhe të ferrit – dhe njëkohësisht të rrugës së mundimshme që duhej bërë për të kaluar në purgator ose parajsë.  

Nuk mbaj mend si e kam kaluar atë verë të zymtë të vitit 1992, por e di se në shtator të atij viti, mësimi nuk filloi, dhe mua më pushtoi një ankth i pashpjegueshëm. Më dukej se e shihja rininë time si një kopsht të djegur. Disa prej këtyre përjetimeve i kam rrëfyer te romani “Dritarja e Marin Shkrelit.”

Atëkohë, lajmet ishin të frikshme. Shkollat tona të mesme dhe universiteti, u uzurpuan nga regjimi serb, që vendosi aparatin e tij të dhunshëm policor në Kosovë.  

Unë, një djalë i ri, mbetur pa shkollë, i mbështjellë me petat e këqija të frikës, përditë kundroja horizontet e pafund, prej rrafshnaltës së Stubllës, shpeshherë ngjitesha në Majën e Stubllavaçës, dhe prisja, si të thuash, prisja të vinte pritja dhe të dëftonte çka kishte gatuar për mua.  

Ajo jetë kishte trajtat e një burgu, pa pasë nevojë që të ishe nën pranga, pa pasë nevojë që të dëgjoje një kor gjykatësish të egër tek të poshtëronin e të shqiptonin dënimin për të cilin ti nuk kishe bërë asnjë faj: ti ishe i dënuar dhe me faj, sepse ishe shqiptar.

Atëherë i pashë ëndrrat e mia rinore të burgosura, nën vështrimin e egër të policëve, që pamëshirshëm dirigjonin dhunën dhe digjnin dëshirat e mia e të mijëra shqiptarëve të tjerë, që rriheshin, burgoseshin e torturoheshin, pa bërë asnjë faj. Në këto rrethana u dashurova pas dritës së letërsisë, kësaj drite magjepse, që më mundësonte të ecja nëpër atë terr të madh.

Atë vjeshtë të vitit 1992, shkolla nuk filloi fare, dhe unë atë kohë e kam kaluar duke lexuar, aq sa njerëzit e shtëpisë shqetësoheshin, duke me thënë: “librat kanë me ta hangër kryet, librat kanë me të çmendë.”

Dikur, në pranverë, filloi mësimi në sistemin paralel. Mbaj mend se, nga gjashtëdhjetë nxënës sa mund të kishim mbaruar klasën e tetë, në gjimnaz, filluan mësimin ndoshta jo më shumë se dhjetë veta.

Ishte një jetë e varfër në të gjitha kuptimet dhe unë vetëm te letërsia gjeja një jetë të pasur e për rrjedhojë njëlloj ngushëllimi. Përmes librave udhëtoja jashtë, përtej kufijve, fizik e kohor. Librat më dëftonin si kacafyteshin bota e territ dhe e dritës, e bukurës dhe e shëmtuarës, e jetës dhe e vdekjes, e dashurisë dhe urrejtjes.  

Siç e kam thënë edhe në një rast, ideja e parë që formova për artin lidhet pikërisht me lirinë. Pastaj, si lexues e si shkrimtar, te letërsia gjeta, përveç lirisë, dritën për ta zhbërë errësirën e madhe dhe dashurinë për ta mundur urrejtjen.

–Kur ratë në “grackën” e saj?

-Besoj se e shpjegova në pyetjen paraprake. Në adoleshencën time, kur aktiviteti i vetëm që më mbante shpresën se mund të kaloja atë ferrin e viteve të nëntëdhjeta, ishte letërsia. Përmes librave, arratisesha në realitete tjera, shumë më të bukura se ai i varfëri ku bëja jetë unë dhe brezi im. Shkrimtarët, në përfytyrimin tim kishin cilësi profetësh. Isha i mahnitur nga personaliteti i Ibrahim Rugovës dhe vepra e Ismail Kadaresë. Pra, letërsia në ato rrethana ishte një njëlloj drite në terrin e madh. Një dritë që të nxit të mendosh se edhe errësira më e madhe mundet nga fuqia e dritës.  

–Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

-Një ndjenjë thirrje për letërsinë, siç e shpjegova, e kisha që në rini. Kisha ndjenjën se do të bëhesha shkrimtar, por këtë ndjesi të bukur e përjetova veç kur fillova të botoja dhe veprat e mia filluan të bëjnë jetën e tyre.  

– A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-Jo, nuk ia bëj vetes këtë pyetje, sepse më duket sikur ta pyes veten: pse kemi nevojë të dashurojmë, të kundrojmë një perëndim dielli, të bëjmë një shëtitje buzë detit, maja malesh apo nëpër vende që na pëlqejnë. Procesi krijues është diçka që lidhet me kënaqësinë, përkundër lodhjes, qindra e mijëra orëve që ia dedikon atij, dyshimeve nëse krijimi yt do të jetë i dobishëm për të tjerët, do të kuptohet, mirëkuptohet apo e kundërta. Shkrimi, procesi krijues, më lehtëson dhe më çliron nga ankthet e jetës. Më shumë preokupohem për kohën kur libri fillon të bëjë jetën e vet. Momentin kur ti si krijues i saj, veprën tënde ia dorëzon një mjedisi, ku do të rritet ose do të pengohet që të rritet. Të intereson për atmosferën mendore, ajrin e shëndetshëm apo të pashëndetshëm. Sepse, besoj në idenë se, një pjesë të mirë të librit e shkruajnë lexuesit. Ndoshta gjysmën, mendojnë me të drejtë shumë studiues letrarë. Shpesh i bëj vetes pyetje: cila është cilësia e lexuesve shqiptarë? Si e shkruajnë ata këtë pjesë? Sa e ushqejnë institucionet tona dijedhënëse dashurinë për letërsinë shqipe? Dashurinë për shkrimtarin shqiptar?

– Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

-Besoj se zëri që transmetoj në veprat e mia, një zë që është i imi, autentik, i kohës sime, që lidhet me përvojat e mia, formimin tim, një zë që i shpalos rrëfimet personale, por që shpreh njëkohësisht gjakimet e kohës, krizat personale e kolektive, vizionin për njeriun, botën, të kaluarën. Nuk është pamend ajo që thuhet, se identiteti i një populli dhe i një qytetërimi pasqyrohet dhe përqendrohet në atë që është krijuar nga mendja – në atë që njihet si “kulturë”, dhe kultura, në realitetin tonë, formën më përfaqësuese e ka te gjuha, te letërsia, që është shtylla themelore e kombit tonë dhe identitetit të tij kulturor. Por, edhe e lidhjes sonë me qytetërimin perëndimor.    

– Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

–Kam rrëfyer përvojat dramatike të një të riu që e deshi artin dhe të bukurën, në një kohë kur këto aktivitete njerëzore urreheshin nga pushtuesi, nuk kuptoheshin nga njerëzit përreth, kam treguar për dashuritë e njeriut, raportet e tij me historinë, kujtesën, dhimbjet që ndien nga humbja e kujtesës, trazimet që përjeton ai kur fiton lirinë dhe jeton me kujtime të ngjitura nga e kaluara. Kam rrëfyer edhe për raportet e njeriut me pushtetin, një raport problematik që është preokupim i përhershëm e njerëzimit, sidomos i shoqërisë sonë, që ende vazhdon të flasë për këto tema me njëlloj të folme që i ngjason të folmeve të bebeve.

– Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

-Këto ditë do të botohet një roman i imi, me titull “Nata kur u zhdukën librat.” Është një histori ku biografia e fiksioni shkojnë paralel për të treguar tmerrin e një kohë kur njerëzit, këtu, ishin të detyruar dhe të shtrënguar, të jetonin pa libra, pa shkolla, të shkëputur nga të mirat e qytetërimit. Çfarë nate e tmerrshme e mizore do të ketë qenë kjo?- pyes shpesh veten. Sepse, siç thonë shumë të ditur, arma kryesore e njeriut për t’ia ndalë hovin së keqes është kultura, dhe libri e shkolla janë instrumentet themelore të qytetërimit, dhe unë i bëj shpeshherë pyetje vetes: si ishte ajo nata e gjatë, shumëshekullore, kur shqiptarët ishin të privuar nga librat, shkollat, kultura? Nga armët kryesore që ka shpikë njerëzimi për të mbijetuar? Si mbijetuan njerëzit tanë, dhe cilat janë pasojat e kësaj mbajtëse dosido?

Pas këtij libri, ka kohë që kam një ide të shkruaj një roman për raportet e njeriut me lirinë, të frymëzuar edhe nga rrëmuja nëpër të cilën po kalojmë si vend. Kam dëshirë të flas për njeriun që e fiton lirinë dhe shpejt harron dhe fillon ta shpërdorojë atë. I kam ngjitë skelet e kësaj vepre dhe po shoh sa lart po shkojnë. Një vepër ku kam skicuar disa elemente, ku do të flas për shkrirjen e njerëzve në turmë, për turmat që një ditë kanë lule e këngë për të fuqishmit, dhe një ditë tjetër, gozhda, çekan e pështymë për ta. Pra, si e zhbëjnë idetë e këqija një person, një njeri, duke e kthyer në diçka që nuk është ai. Me siguri, kam edhe shumë gjëra për të rrëfyer, për çka nuk mjafton një jetë.  

– I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

-Shkrimi është një mister dhe nuk besoj të ketë një formulë si vjen. Pikërisht kjo enigmë mbase është një anë tjetër e bukur e artit. Vjen ndonjëherë si një dashuri përvëluese. Ndonjëherë si stuhi e egër e shkatërruese. Në thelb, unë i besoj punës së pareshtur. Nuk ka talent pa punë. Nuk duhet tejçmuar talentin, duhet punë, porosiste dikur Rugova. Letërsia është thirrje, por kërkon devocion, përkushtim, punë të pareshtur. Secili shkrimtar së pari është një lexues i madh, një lexues që frymon përmes librave, bën jetë me librat dhe në tryezën e tij ka përherë vepra për të lexuar e fletë të bardha për të shkruar.

– Sa jeni sistematik në të shkruar?

-Mundohem të jem sistematik. I preferoj mëngjeset e hershme dhe me devocion ia dedikoj shkrimit. Porsa shoh shkëndijat e para të ditës, zgjohem i gëzuar që mund të shkruaj apo të rishikoj ato çka kam punuar një ditë më parë ose disa ditë më parë. Por nuk e kthej në rutinë. Ndodh ndonjë ditë që shkruaj edhe në orët e vona të natës, sidomos kur shkruaj prozë, procesi i krijimit të së cilës dallon prej poezisë. Proza kërkon më shumë kohë, më shumë përkushtim, detaje, më shumë aktivitet dhe njëkohësisht përqendrim, për dallim prej poezisë, një formë krijimi që tek unë vjen më lehtë.

– Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

-Po, sikur edhe dhjetëra herë të kthehesha në tokë, me ketë mendim që kam sot, do të zgjidhja të bëhesha shkrimtar. Pikësëpari për faktin se ky aktivitet njerëzor është i bukur, më jep kënaqësi dhe më lumturon. Madje edhe për faktin se, krahas një tryeze të pasur, kultura është ajo që e bën jetën tonë të vlefshme, thoshte me të drejtë shkrimtari T. S. Eliot. Unë besoj se letërsia e bën jetën më të vlefshme, njëkohësisht më të bukur dhe më humane.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ndue Ukaj: Gjergj Fishta dhe misioni i përlindjes shqiptare