reklamë

Klejda Plangarica: Shkruaj sepse nuk bëj dot pa shkruar

klejda plangarica

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafirja jonë është poetja, Klejda Plangarica.

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

Besoj se ky takim, apo më mirë ky afrim ka ardhur krejt spontan, pa ndonjë përpjekje apo synim të vetëdijshëm. Fillimisht përmes përrallave të gjyshes sime, të cilat edhe sot e kësaj dite i kam të fiksuara në mendje. Pastaj pata fatin të rritesha mes librave, në një shtëpi me një bibliotekë të madhe dhe modeli i ofruar, duke parë vazhdimisht pjesëtarët e tjerë të familjes duke lexuar, pa dyshim që ka ndikuar tek unë. Më kishin abonuar që herët në revistat e dikurshme për fëmijë, fillimisht në revistën “Yllka”, më pas “Fatosi” e kështu me radhë. Ndërsa dhuratat që më lumturonin gjithmonë ishin përherë librat.

Kur ratë në “grackën” e saj?

Mendoj se kam qenë e dashuruar me të që në atë moshë të hershme kur arrij të mbaj mend veten. Pra, në “grackën” e saj kam rënë shumë kohë përpara se të ndërgjegjësohesha për këtë dashuri. Ka qenë pikërisht dashuria e madhe për të lexuar ajo që më ka nxitur të mësoj të shkruaj dhe lexoj ende pa hyrë në shkollë. Një nga kujtimet e mia më të bukura të fëmijërisë lidhet me klasën e dytë të arsimit fillor, kur mora për herë të parë çmimin “Miku i vogël i librit”. Ishte shpërblimi i përkushtimit tim, pasi i kisha “përpirë” të gjithë librat e grupmoshës sime që gjendeshin në bibliotekën e shkollës.

Kur nisët të ndiheshit shkrimtare?

Mendoj se ishin të tjerët ata që filluan të më konsideronin kështu, përpara sesa ta mendoja unë veten të tillë. Kam nisur të shkruaj shumë herët, madje vargjet e para datojnë që në shkollën fillore, por pavarësisht botimeve të herëpashershme të krijimeve të mia në poezi apo prozë të shkurtër në periodikët letrarë, duke filluar që nga vitet ‘93-‘94, të shkruarit mbetej një pasion, madje nuk i kushtoja as vëmendjen e duhur. Ndoshta sepse në vitet e para isha e angazhuar më tepër me muzikën, duke qenë se studioja për violinë. Në vitet e mëvonshme, gjatë kohës së gjimnazit, jeta ime mori një tjetër drejtim kur nisa profesionin e gazetares dhe folëses televizive.
Më vonë, vlerësimet në konkurset letrare dhe inkurajimi i vazhdueshëm nga specialistë të letërsisë ndikuan që t’ia lejoja vetes edhe një atribut të tillë. Ende nuk ia kushtoj kohën që i nevojitet, edhe pse të shkruarit mbetet pjesë e pandashme imja. Shkruaj sepse nuk bëj dot pa shkruar, edhe pse shkruaj rrallë.

A ia keni shtruar ende vetes atë pyetjen shumëdimensionale “Pse shkruaj”?

Jo, nuk mundem t’ia shtroj këtë pyetje vetes. Është njëlloj sikur të pyes: “Pse marr frymë; pse ëndërroj?” Jetoj me këtë dhunti, është një pjesë e pandashme e qenies sime, një aftësi dhe pasion që është ngjizur bashkë me mua. Nuk mendoj se njeriu mund të ngrihet një ditë dhe të zgjedhë: “Sot kam vendosur të bëhem shkrimtar!” Dhuntia lind me të, më pas është leximi i vazhdueshëm, frymëzimi, eksperienca, vullneti për të shkruar, elementët që e konsolidojnë atë duke ndërtuar një shkrimtar profesionist. Një pjesë të përgjigjes për këtë e kam dhënë edhe në pyetjen e mëparshme. Shkruaj sepse nuk bëj dot pa shkruar!

Çka ju bën të veçantë si shkrimtare?

Kjo përgjigje mendoj se u takon lexuesve të krijimeve të mia që ta japin. Unë thjesht rrekem të qëndroj brenda lëkurës së Klejdës, pa u tunduar të vesh një petk që s’më shkon për shtat, pavarësisht rrymave e trendeve të ndryshme.

Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

Nuk e kam si qëllim në vetvete të rrëfej një histori përmes poezive të mia. Thjesht përpiqem t’u vesh fjalë ndjesive që më grishin. Përmes vargjeve rindërtoj skenën e një momenti, të përjetuar apo të përvetësuar nga diku tjetër, një detaji në dukje të zakonshëm, të cilin e rrok fort, e zhvoshk nga rëndomtësia dhe i vesh një tjetër petk. Më mjafton një imazh, një thërrmijë kujtese… Reflektoj apo dialogoj me unin dhe tjetrin përballë meje mbi gjithçka që më ngacmon ndjesitë.

Çfarë ju ka mbetur ende pa thënë?

Një pjesë e konsiderueshme e krijimeve të mia vërtitet pikërisht midis të pathënave, të papërjetuarave, pamundësive, mungesave që shpesh gjëmojnë në heshtje. Kushedi ç’ka mbetur ende pa u thënë!
Më solli ndërmend një poezi timen të kohëve të fundit kjo pyetje:

GJËMIMI
I pazhurmshëm ky gjëmim!
Shkëndija drite fluturojnë mes valësh,
pa përplasje krahësh…

Deti gjëmon,
por veç përgjysmë mbërrijnë në breg
rënkime pulëbardhash në terr.

Oshtima pret prekjen…
Që ta përkthejë drithërimën
në gjuhën e vet!

I besoni muzës apo përvujtnisë së punës së pareshtur?

Në konceptin tim, për një prozator të mirëfilltë këto janë dy elemente që ecin paralelisht, të varura ndërsjelltazi nga njëra-tjetra. Ndërsa për një poet “puna e pareshtur” mund të ndikojë në produktivitet, por jo në frytshmëri. Aq më pak në cilësi. Muza mbetet burimi për mua. Ama i besoj “përvujtnisë”, si një nga muzat më frytdhënëse.

Sa sistematike jeni në të shkruar?

Nga 0 deri në 10, mund të them 1, për të mos thënë që nuk jam aspak sistematike. E ceka pak edhe në përgjigjen më sipër këtë. Shkruaj rrallë dhe e kam neglizhuar përherë botimin e shkrimeve të mia. Në fakt, edhe puna si redaktore e korrektore e teksteve studimore e letrare ndikon që të punoj më tepër me veprat e shkrimtarëve të tjerë, duke “harruar” shkrimet e mia. Kanë qenë gjithmonë miqtë e mi studiues e shkrimtarë që më kanë nxitur vazhdimisht të botoj. Falë këmbënguljes së tyre i kam botuar ato pak libra të mitë, në fushën e poezisë apo të studimit e përkthimit. Justifikohem gjithmonë me cilësimin “hyjnor” që i bën poezisë i paarritshmi Lasgush Poradeci: “Mos ki frikë se ke shkruar gjatë jetës tënde vetëm dhjetë poezi. Frikë të kesh nëse ke shkruar njëqind.”
Madje po ju besoj një sekret, pas botimit të librit tim të fundit me poezi para 14 vitesh, kam gati edhe 2 libra të tjerë, të cilët ende nuk kam vendosur se kur do t’i botoj. U rikthehem herë-herë poezive të mëparshme, i ripunoj e më pas i lë sërish në pritje. Po pres të “fermentohen” si përherë! (Qesh)

Sikur të fillonit nga e para, do të bëheshit sërish shkrimtare apo jo?

Edhe nëse do të doja t’i shmangesha, nuk besoj se do t’ia arrija. E përmenda edhe më sipër, dashuria për të shkruarin është ngjizur bashkë me mua. Ndoshta në një jetë tjetër do të kisha dashur t’i kushtoja gjithë vëmendjen dhe përkushtimin që meriton.

ObserverKult


Lexo edhe:

Cikël poetik nga Klejda Plangarica: Mugëtira e rroktë gjallimin tënd!