Nganjëherë i kafshoj dhëmbët furishëm
Më mbetet gjuha në dhëmbë nganjëherë,
Me gjilpërë më duhet ta qep gjuhën,
Engjëllushka ime, jo pse dua, nganjëherë
Çuditem edhe me veten si i kafshoj ëndrrat.
Hahem me to deri në përgjakje
I kafshoj dhe përleshem me realitetin,
Nëpër net me ëndrra vjeshtore
Dhe pranvera me buzëqeshje dashurore
Hamendja për fitore mbyt trishtimin
I kafshoj ditët, edhe netët i kafshoj,
Të zeza si futa, netët e paperënduara,
Përgjakem krejt nganjëherë,
Me dhëmbët e mi të rëndë, të rëndë,
Sa shkëmbinjtë e Bjeshkëve të Nemuna,
Nganjëherë botën e zë gjumi n’mes të ditës,
Dhe aty përulet miti i fuqisë së qëndresës
Trulloset bota krejt e humbur përkundet,
Harron përuljen e gjurit bota nganjëherë
Bie në gjumë nëpër ninulla ledhatuese
Papritur tretet nga thartira që të qet zorrët
Tëhuajësohet mendja dhe humb imazhin në pasqyrë
Pema e Jetës zë rrugën në mëngjesin me vesë diellore
E unë, nganjëherë i vetmuar përleshem me botën
Dhe përhumbem në lakuriqësinë e poezisë