Fondacioni “Ibrahim Rugova” ka botuar këto ditë një libër me titull “Liber amicorum për Sabri Hamitin” në shënim të 70-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.
Në tekstin hyrës të librit thuhet:
“Ky libër nuk është menduar si kurorë dafine e lavdisë akademike. Nuk është Festschrift, po një Liber amicorum me shkrime autorësh moshash e formimesh të ndryshme – prej miqve e kolegëve, të moçëm e të rinj, nga Kosova e Shqipëria – në nderim të shkrimtarit e të dijetarit Sabri Hamiti në 70-vjetorin e tij të lindjes.
Liber amicorum për Sabri Hamitin feston jetën dhe veprën e Profesor Hamitit. Mosha e autorëve e përcakton rendin e teksteve të tyre në këtë libër, me përjashtim të fjalës së Ibrahim Rugovës, mikut e kolegut të tij të letrave, që rri në ballë të librit, mbasi sublimon veprën e Sabri Hamitit përmbledhtas e gjithanshëm.
Boshti rreth të cilit sillen shkrimet janë poezia, proza dhe dramat e Sabri Hamitit, po aq sa studimet e tij për letërsinë shqipe në tërësinë e saj, për Sabri Hamitin shkrimtar e dijetar të letërsisë.”
33 shkrime të 27 autorëve janë përmbledhur në mbi 400 faqe të librit “Liber amicorum për Sabri Hamitin”. Shkrimet janë të autorëve: Ali Aliu, Ibrahim Rugova, Rexhep lsmajli, Floresha Dado, Bashkim Kuçuku, Zejnullah Rrahmani, Munish Hyseni, Sali Bashota, Besim Rexhaj, Muhamet Hamiti, Mark Marku, Kastriot Gjika, Kujtim Rrahmani, Femi Cakolli, Xhavit Beqiri, Vehbi Miftari, Persida Asllani, Dhurata Shehri, Agron Gjekmarkaj, Kujtim M. Shala, Bardh Rugova, Nysret Krasniqi, Agron Y. Gashi, Muhamed Çitaku, Arian Krasniqi, Mimoza Hasani, Albanë Mehmetaj.