Në 90-vjetorin e lindjes nderohet shkrimtari i njohur, Agim Gjakova

Nga Blerim Valla

Për nder të 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të njohur Agim Gjakova, Shoqata e Intelektualëve “Jakova” nga Gjakova , ka nderuar jetën dhe veprën e tij, duke risjellë në kujtesë edhe një herë kontributin e tij të madh në letërsi dhe kulturë.
Me këtë rast, u mbajt një takim me shkrimtarin ku mes miqësh, shokësh e kolegëve të tij nga mbarë hapësira shqiptate u fol për jetën e tij prej disidenti por edhe për krijimtarinë e tij të begatë letrare. Nga disa nxënës u lexuan disa poezi të tij dhe disa fragmente nga proza e tij, përzgjedhur nga prof. Teuta Lama – Hoda. Si dhe u shfaq një film dokumentar për jetën e veprën e tij punuar nga gazetarja Vera Pelaj dhe nga operatori Fehmi Xharavina. Kurse para këtij takimi u shfaqen edhe dy filma të punuar me skenar të Agim Gjakovës: “Nusja” dhe “Fundi i një gjakmarrje” në kinon “Hyrije Hana” në Gjakovë.

Në këtë ngjarje kulturore, kryetari i SHI “Jakova” dr. prof. Ruzhdi Sefa në hapje të këtij takimi, krejt ndryshe nga ato që mbahen zakonisht dhe janë uniformë, theksoi se: “Shënimit të 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të njohur Agim Gjakova, i cili padyshim që është një aset letrar e kulturor i dy shteteve, Kosovës e Shqipërisë, është një rast i veçantë për të nderuar jetën dhe veprën e tij, si dhe për të risjellë në kujtesën tonë kontributin e çmuar të tij në letërsi dhe kulturë. Si Anëtar Nderi i Shoqatës së Intelektualeve “Jakova”, A. Gjakova sot do të nderohet edhe me shfaqjen e dy filmave të punuar sipas skenarëve të tij. Këta filma, të siguruar me mbështetje nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë.

Një falënderim i veçantë shkon për Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, z.Petrit Malaj, për mbështetjen e këtij organizimi si dhe për Kinon “Hyrije Hana” për bashkëpunimin”, tha mes tjerash prof. Sefa.
Më pas para mysafirëve nga Kosova, Shqipëria etj për Agim Gjakovën si personalitet i veçant por sidomos për të si shkrimtar i shquar, foli studiuesi i letërsisë Anton Nikë Berisha i cili ka shpalosur vlerat estetike dhe veçoritë krijuese të veprave letrare të shkrimtarit Agim Gjakova. A. N. Berisha potencoi mes tjerash se: “Në letërsinë shqipe, vepra e Agim Gjakovës është një pasuri e madhe duke nisur nga poezia, tregimi, romani, por edhe publicistika, eseistika, letërsia për fëmijë, drama e skenarët e filmave artistikë, e që e gjithë kjo krijimtari letrare i ka dhënë letërsisë tonë një pasuri shumë të madhe” .

Më pas për të nderuar jetën dhe veprën e një intelektuali të paepur dhe atdhetari të vendosur, si Agim Gjakova,
shumë të pranishëm dhanë konsiderata e vlerësime të larta për veprën e tij, pasi Agim Gjakova meriton vëmendje dhe nderim për gjithë sa ka dhënë kontribut për letërsinë, por edhe në tërësi për kulturën tonë kombëtare. Kështu për të folën shkrimtar, studiues, miq të tij … si Pandeli Koçi , Behar Gjoka, Besim Këpuska, Ali Aliu, Osman Goranci, Kolec Traboini, Migena Arllati, Nehat Islami, Namik Dokle, Zyhdi Dervishi, Shefqet Dinaj, Muhamet Rogova, Ragip Ballata etj . Të cilët i dhanë epitete të larta shkrimtarit Gjakova si : “Profet i poezisë”, “Misionar i poezisë” , ” Titan i letërsisë e atdhetarizmit shqiptar” etj.
Kolec Traboini shkrimtar nga Shqipëria nga të pranishmit në këtë takim kërkoi që Agim Gjakova të vlerësohet si “Poeti Jubilar” dhe “Doajeni i Letërsisë Kombëtare” ku përfshihen të gjitha trevat shqiptare në Ballkan. Me këtë rast sipas ti i jepet fund diktatit shtetëror që bën përzgjedhje pa pyetur shkrimtarët dhe në mënyrë absurde duke e ndsrë letërsinë kombëtare shqiptare në atë të Shqipërisë dhe në atë të Kosovës!

Në fund të pranishmit u kënaqën me këngët e bukura shqiptare kënduar e interpretuar nga grupi Art Orkestra nga Gjakova.

Përndryshe Agim Gjakova i takon brezit të Dritëro Agollit , Ismail Kadaresë, Fatos Arapit etj. Pra, ai i përket brezit të modernitetit në poezinë tonë. Ai është ndër ata që i dhanë letërsisë shqipe ekementet dhe ritmin e modernitetit në letërsinë shqipe.
Por, për dallim prej të tjerëve të brezit të vet, Agim Gjakova është edhe shkrimtari pa kufij ose i të dy kufijve – Shqipërisë dhe Kosovës Ai gjithnjë do të mbetet si shqiptari i Kosovës në Shqipëri dhe shqiptari i Shqipërisë në Kosovë! Pasi Agim Gjakova nuk e ndau kurrë veten dhe as veprën prej Gjakovës dhe Kosovës.

Edhe pse ka shkruar në dy kohë, gjatë e pas socializmit, letërsia e tij është shumë bashkëkohore dhe e veçantë estetikisht. Ai me vlerat letrare dhe me stilin e tij të të shkruarit i ka dhënë veprës së tij përmasë universale.
Krijimtaria letrare e Agim Gjakovës është një letërsi e mirëfilltë dhe qëndron në majat e letërsisë shqiptare.
Agim Gjakova, është bir i dy mësuesve dhe patriotëve gjakovarë, u lind në Kavajë. Shkollën fillore edhe të mesme i kreu në Gjakovë. Studimet e larta i kreu në Beograd e më pas në Tiranë kreu letërsinë franceze

Ai është shkrimtar i dy anëve të kufirit, i cili pas mbarimit të shkollës Normale në Gjakovë, shkoi student në Beograd në fakultetin filozofik. Ndjenjat e tij atdhetare nuk e lanë të qetë edhe atje ku bashkë me shokët e kolegët e tij të tjerë shqiptar formoi shoqatën e studentëve shqiptarë “Përpjekja”.

Meqë në vitet ’50-ta, konsiderohej si kërcënim për Jugosllavinë me deklaratat e tija të hapura kundër keqtrajtimit të shqiptarëve të Kosovës, u dërgua në internim në kampin e Gerovos në Kroaci, kurse në maj të vitit 1960 zyrtarët e UDB-së e dëbuan në kufirin shqiptar si person të padëshirueshëm për ish Jugosllavinë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, në vitin 1966, kreu studimet në Fakultetin Histori-filologji dega letërsi frenge në Tiranë, mirëpo gjatë gjtihë kohës ishte i ndjekur nga sigurimi i shtetit, ngase nuk ishte i listuar si mbështetës i Partisë së Punës Shqiptare (PPSH). Përkundër gjithë këtyre peripetive Gjakova arrinë të mbijetoj dhe pas përfundimit të në luftës në Kosovë, u shpërngul në Prishtinë ku edhe jeton dhe vepron.

Agim Gjakova deri tani është autor i 22 romaneve, i 12 vëllimeve poetike, i 4 dramave, dhe i 1 libri të fundit me rrëfime ironike “Magjia e gremisjes” (që sapo ka dalur nga shtypi). Kurse i gjithë opusi i tij letrar është përmbledhur në 25 libra voluminoz.

ObserverKult


Lexo edhe:

“E BUKURA”, TREGIM NGA AGIM GJAKOVA