Në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” u promovuan librat e Sami Pirajt

Pas përvojës së gjatë me gazetarinë e kulturës e me theks të veçantë atë të muzikologjisë jo vetëm shqiptare, por edhe të huaj, kompozitori Sami Piraj i kishte mbledhur disa nga shkrimet e tij me ndikim dhe i kishte botuar ditë më parë në librin “Jeta muzikore në Kosovë 1990 – 1999, periudha e deinstitucionalizimit” të cilën biblioteka e Prishtinës “Hivzi Sulejmani” e kishte zgjedhur për ta paraqitur para publikut të kryeqytetit. Përveç këtij libri, po kështu, ditë më parë u publikua edhe vepra tjetër e Pirajt “Imazhe Muzikore”.

Publikimi i këtyre librave kishte mbledhur auditor të zgjedhur të cilët përcollën një video të punuar enkas për këtë ngjarje me disa nga punimet e shquara të publicist Piraj.

Drejtoresha e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” Naime Beqiraj e cilësoi Pirajn si kronikan dhe zë kritik i cili për rreth 40 vite, përveç si kompozitor është shquar në qenësinë kulturore shqiptare me shkrimet e tij analitike në fushat e të gjitha zhanreve të muzikës. Samiu u zhvillua si publicist në Rilindjen e viteve ’80-ta, asokohe kur mediumi i vetëm ditor i Kosovës pasurohej çdo ditë me vlerësime kritike e shkrime të përzgjedhura të pjesëtarëve të saj, emra te shquar të letërsisë dhe kulturës shqipe si: Musa Ramadani, Ymer Shkreli, Mehmet Kraja, Binak Kelmendi, Ramadan Musliu, Ibrahim Berisha, Xhemail Mustafa, Abdullah Konushevci, Gani Mehmetaj, Jusuf Buxhovi, etj.

Për veprat referuan edhe autoritete muzikore, duke i cilësuar si kontribut në fushën informimit të kësaj periudhe dhe literaturës së gjinisë së këngës përcjellë me piano. Periudha e viteve 1990- 1999, cilësohet si periudhë e errët në të gjitha sferat e jetës për shqiptarët në Kosovë.

Pas aplikimit të masave të dhunshne në institucionet kulturore, arsimore, informative dhe përgjithësisht në të gjitha fushat e jetës te ne, u krijuan rrethana dhe kushte të vështira për shqiptarët. Shuarja e institucioneve dhe dëbimi masiv i shqiptarëve nga vendet e punës, rezultojë me vështërsi shumë të theksuara në jetën e përgjithshme.

Informimi u vështirësu shumë, pas mbylljes së Radiotelevizionit të Prishtinës, gazetës “Rilindja”, duke u mbyllur një dritare e rëndësishme kulturore e informative. Kjo ishte temë e trajtimit të panelistëve: Ahmet Bella muzikolog nga Malmo e Suedisë, Elife Podvorica – Jashari – profesoreshë e solokëndimit, Kushtrim Jakupi – etnomuzikolog dhe Visar Munishi – etnomuzikolog, duke iu referuar shkrimeve të botuara në gazetën e atëhershme “Bujku”.

Trajtimi i deinstitucionalizimit të jetës muzikore, që rrodhi nga shkrimet e botuara në gazetën “Bujku” të autorit Sami Piraj, gazetar i rubrikës së kulturës në të përditshmen “Rilindja”, u cilësua si kontribut relevant në informimin e asaj periudhe dhe dokumentimin e ngjarjeve në librin “Jeta Muzikore 1990-1999..”. Kurse libri tjeter “Imazhe Muzikore” paraqet poashtu një kontribut në sferën e pjesëve të kompozuara në periudhat e ndryshme kohore e që gjithsesi e pasurojnë literaturën muzikore të formave kamertale.

ObserverKult


Lexo edhe:

“POETËT E ETNISË”, TAKIM ME KRIJUESIT QË JETOJNË JASHTË KOSOVËS- ORGANIZOHET NGA BIBLIOTEKA “HIVZI SULEJMANI”