Nga Edison Ypi
Ne budallenjtë kemi bindjen se Toka rrotullohet rreth Diellit. Ju të squtët thoni të kundërtën, se Dielli rrotullohet rreth Tokës. S’do mend që keni të drejtë ju që u besoni më tepër syve se librave, dhe jo ne budallenjtë, që u besojmë më tepër librave se syve, që ju dalshin.
Ne budallenjtë në takim me ju inteligjentët, vijmë gjithmonë disa minuta para. Ju qerratenjtë, në takim me ne budallenjtë, vini gjithmonë me vonesë. Ky problem me budallenj gjithmonë korrektë dhe të squtë gjithmonë të vonuar, si problem i përbotshëm dhe i përjetshëm që kurrë s’ka për t’u zgjidhur, nuk na mërzit aspak. Përkundrazi, na jep zemër që, si budallenj që jemi, të vazhdojmë t’ju presim të vini në orën e caktuar për të bërë atë që ju të squtët e keni më për zemër, një vërë në ajër.
Ne budallenjtë themi atë që mendojmë dhe besojmë atë që na thoni. Ju skilet tjetër mendoni, tjetër thoni, dhe nuk e besoni atë që ne budallenjtë ju themi. Për këtë meritoni me ua nxjerr sytë me pirunët që përdorni për të ngrënë imambajalldinë e trillimit, sajuar me copa dhjami deliri, kripë intrige, vaj pabesie.
Ne budallenjtë kemi bindjen se Laçi është më afër se Lezha. Ju thoni se Lezha është më afër se Laçi. Meqenëse ne nisemi nga Tirana, ju niseni nga Shkodra, habia është e jona, e drejta është e juaja. S’ka problem pse dredhoni. Veç aman, ngado që të niseni, mos na thoni se Turqia është më afër se Italia.
Ne budallenjtë e dimë se media që bën vetëm propagandë, partisë që e ysht, jo vetëm nuk i shton asnjë, por i rrezikon edhe ata që ka. Mirëpo, përderisa këtë e themi ne budallenjtë, ju me të drejtë nuk e besoni. Vazhdoni të mos besoni, por mos u ankoni kur të humbni.
Ne budallenjtë kemi bindjen e patundur se biznesmenët, ata që mbajnë në këmbë ekonominë dhe nuk na lënë të ngordhim, janë kocka, palca e kombit, janë ata që duhen favorizuar, ndihmuar, ruajtur si sytë e ballit, ndërsa proletarët janë turma që duhet ta gjejë vetë mënyrën për të mbijetuar. Ju vazhdoni të mendoni të kundërtën. Veç mos u habisni kur proletarët, sipas përvojës së kurvit, pasi të kenë vënë pas muri biznesmenët, të zbresin në shesh të zhvatin gjithçka pa bërë asgjë.
Ne budallenjtë e kemi të qartë se analistët televizivë mbrëma, nuk janë asgjë tjetër përpos pararoja e dallavereve dhe hajdutllëkut, muret rrethues, bedenat, ledhet, kazanët e ziftit, katapultat e kështjellës së politikës, që bëjnë çmos ta bëjnë atë kështjellë të pamposhtur. Ju këtë bëni sikur nuk e kuptoni. Ju raftë pika. Juve dhe atyre.
Neve budallenjve, po pamë një fshat pa tym mbi oxhakë, na vete mendja se ai fshat nuk ndez zjarr, sepse nuk ka mish për ta pjekur. Ju thoni se një fshat i tillë, mish ka, por nuk ka dru për të ndezur zjarr. Meqenëse ne budallenjtë çeku vemi nëpër fshatra, ndërsa ju çfarë ndodh nëpër fshatra e keni me të dëgjuar, rebusin me mish e zjarr nuk e zgjidhim dot, këtë muhabet po e lëmë këtu.
Ne budallenjtë përdorim nja treqind fjalë kur flasim dhe nja dymijë kur shkruajmë. Ju as flisni, as shkruani. Nuk është problem. Derisa të mësoni ca fjalë ju të squtët, do vazhdojmë të dërdëllisim ne budallenjtë.
Ne budallenjtë që nuk kemi asgjë, nuk prodhojmë asgjë, nuk fitojmë asgjë, dhe rrjedhimisht s’kemi çfarë fature tatimore të japim, faturën tatimore që na jepet për çikërrimat që blejmë, gjithmonë e marrim. Ju që keni gjithçka, faturë tatimore as nuk merrni, as nuk e jepni. Zoti ju ruajt.
Ne budallenjtë nuk vjedhim. Ju vidhni. As kësaj s’kemi ç’i bëjmë. Po të vidhnim ne, budallenj do ishit ju.
Ne budallenjtë lexojmë poezi. Madje ka ndër ne budallenjtë, ca super budallenj që poezitë i dinë përmendësh. Kjo tablo nuk është aq dramatike sa duket. Poezitë më të bukura për ne, janë ato që flasin për dallimin kolosal mes jush dhe nesh. Kurrë mos u prishtë kjo magji.
Ne budallenjtë ju bëjmë femrave komplimente, pra fillimisht u vijmë rrotull e rrotull, dhe goditjen e qejfit e bëjmë të plotë. Ju të plotë bëni fillimin e heshtur, qejfit i vini rrotull e rrotull.
Ne budallenjtë nuk ikim nga Shqipëria. Ju ikni. Mirë bëni që ikni. Veç një gjë duhet të dini, nëse do vazhdoni të ikni, shpejt vjen një ditë kur ne budallenjtë që tash për tash jemi pakicë, do bëhemi shumicë. Kur të ndodhi kjo, meqenëse shumicë budallaqe s’ka, të squtë do bëhemi ne budallenjtë që rrimë, ndërsa budallenj do bëheni ju të squtët që ikni.
Ne budallenjtë e dimë që era, shiu, breshëri, toka, qielli, malet, kodrat, lumenjtë, përrenjtë, të gjitha janë të inteligjentëve, por bota është e budallenjve.
ObserverKult
Lexo edhe: