
Më 25 mars të vitit 1880 lindi në Janinë diplomati, studiuesi dhe bibliofili, Midhat Frashëri.
Midhati ishte biri i veprimtarit të çështjes kombëtare, Abdyl bej Frashërit. Pas vdekjes së të atit, për arsimimin e tij u kujdesën xhaxhallarët Naim e Sami Frashëri.
Midhati u bë një nga studiuesit më të spikatur të epokës së tij. Kontributi i tij në historiografi u shpreh përmes botimeve, si revistat “Diturija” (1909) dhe “Kalendari Kombiar” (1897-1928), të cilat shërbyen si arkiva të vërteta të historisë, folklorit dhe gjuhësisë.
Në rrafshin politik, roli i tij kulmoi në Kongresin e Manastirit (1909), ku kryesoi Komisionin e Alfabetit, dhe në Kuvendin e Vlorës si firmëtar i Pavarësisë (1912). Karriera e tij u shënua nga angazhimi i vazhdueshëm për mbrojtjen e interesave kombëtare. Ai shërbeu në poste ministrore, dhe misione diplomatike ku veçanërisht i rëndësishëm ishte roli i tij në Greqi, ku mbrojti të drejtat e popullsisë çame. Në rrafshin kulturor mbahet mend për hapjen e librarisë “Lumo Skëndo” në Tiranë (1926-1939).
Në vitet e pushtimit fashist themeloi dhe drejtoi organizatën e Ballit Kombëtar. Në përfundim të luftës, për shkak të vendosjes së pushtetit komunist ai largua nga Shqipëria. Në fillim u vendos në Itali e më pas në Londër, ku krijoi komitetin “Shqipëria e Lirë” (1949). U nda nga jeta në Nju-Jork (SHBA), më 3 tetor 1949.
Në vitin 2018, eshtrat e tij u sollën në Shqipëri dhe u rivarrosën me nderime shtetërore pranë memorialit të vëllezërve Frashëri, në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë.
ObserverKult
Lexo edhe:






