Ndonëse me vonesë për shkak të rrethanave, posa ka dalë në qarkullim numri i ri i revistës letrare të traditës “Jeta e re”, i pari për këtë vit.
Revista fillon me një in memoriam për romancierin, tregimtarin dhe përkthyesin e mirënjohur Musa Ramadanin, i cili vdiq më 10 mars 2020. Me këtë rast është botuar shkrimi kritik i Ibrahim Rugovës për poezinë e tij me titullin “Sublimimi i thënies eugjenike”, pastaj tregimi “Dhoma e koleksioneve” dhe një cikël i gjerë me poezi, përzgjedhur nga librat e tij poetikë, për të vazhduar me ligjëratën e titulluar “Rrëfimtari zemërbutë” të shkrimtares polake Olga Tokarczuk, mbajtur me rastin e pranimit të Çmimit Nobel.
Proza fillon me tregimin po të kësaj autoreje “Gruaja më e shëmtuar në botë“, për të vazhduar me tregimet “Shkrimtari vetëvrasës”, “Gjithë pesha e ligjit” dhe “ Dita që kurrë nuk ka ekzistuar” të shkrimtarit dhe eseistit shumë të njohur uraguajas Jorge Mafud, pastaj vjen shkrimtari italian Luca Rici me “ “Veranda”, Kujtim Rrahmani me “Nina në Bohçe”, Enver Ulaj me “Gjama”, Sevdail Zejnullahu me “Rruga e kalit”, Dhurata Hoti me “Kukulla” dhe Dafina Buçinca me tregimet e shkurtra “ Ëndërr” “Librat” dhe “ Pritje”.
Rubrika e poezisë nis me një cikël të gjerë poezish të poetit shumë të veçantë francez Joan Follain, për të vazhuar me poetin fort të njohur grek Kostantin Kavafis, pastaj me poetin italian Michele Mari, poetin amerikan Jock Hischman, me Sali Bashotën, Shaip Beqirin dhe Anton Berishajn, ndërkaq në rubrikën qendrore të revistës Dossirr kësaj here vjen Rajmond Carver, një ndër trgimtarët më të mirë amerikanë.
Pas portretizimit krijues për autorin në fjalë, vijnë eseja e tij me titullin “Parimet e tregimit”, tregimet “Vdekja e Harry-t” dhe “Gënjeshtra”, një cikël poetik dhe një intervistë e gjatë me titullin “Artisti është gjithçka që arti supozohet të jetë”.
Rubrika e kritikës nis me esenë “Lexuesi i pazakonshëm” e George Shtejnerit dhe vazdon me tekstin e gjatë “Elemente të një gramatike narrative” të autorit Algirdas Julien Greimas, i cili bashkë me Roland Bartin konsiderohen semioticienët më të njohur frëngë, Carlos Fuentes me “Leximi”, Ibrahim Berisha me “Poetika e Bashotës”, Fatbardha Hasi me “Poetika e romanit ‘Gurit të varrit ia rrëfej’ të Agron Tufës”, “ Pasurimi i studimeve krahasimtare” të Mirjetë Sadikut për librin “Peshorja e parkave” të Osman Gashit dhe “Modelimi i tjetrit” të Alma Abdullahu për romanin “Pëllumbat i vrasin natën” të Virion Graçit.
Përkthyesit që kontribuan në këtë numër janë: Bajram Karabolli, Gëzim Aliu, Alket Çani, Alfred Beka, Arben Idrizi, Arta Hallaçi dhe Ilir Breca./ ObserverKult