Doli numri më i ri i revistës së traditës “Jeta e re”, i fundit për vitin 2020. Revista nis me shkrimtarët Hasan Hasanin dhe Ramadan Musliun, të cilët u shuan po këtë vit. Në shenjë kujtimi dhe nderimi, ata janë prezantuar me tekste të përzgjedhura letrare, si dhe me nga dy vështrime për veprat e tyre.
Në fillim kemi shkrimin e Prend Buzhalës “Lirika gjenealogjike e Hasan Hasanit”, pastaj një cikël poetik dhe prozën “Mulliri në shelgjishte” të Hasan Hasanit, si dhe shkrimin e Xhavit Aliçkajt me titullin “Poeti i qëndresës artistike”. Ndërkaq, Ramadan Musliu prezantohet me esenë e tij “ Esenca dhe ekzistenca e poezisë” dhe me një cikël poetik, kurse vështrimet për poezinë e tij janë: “Decenia nistore krijimtare e Ramadan Musliut” i Nysret Krasniqit dhe “Ndjeshmëria në poezinë e Ramadan Musliut” i Petrit Palushit.
Në rubrikën Ligjëratë kemi fjalimin e Nobelit të poetes, Louise Gluck, kurse rubrika e prozës nis me prozën eseistike “Gjumë” të Marsel Prustit, për të vazhduar me prozat e H. L. Borhesit “Rrënojat qarkore”, “ Pasqyra dhe maska”, “Shtëpia e Asterionit” dhe “Mrekullia e fshehtë,” pastaj vjen tregimi “Dy pleq” të shkrimtarit italian Silvio D’arz, si dhe tregimet “Njolla që nuk hiqet”, “Gruaja”, “Në një kasolle” dhe “ Rebeli” të shkrimtarit domenikan Juan Bocsh. Nga autorët tanë kemi tregimet “E ftohtë si të tjerat” të Eqrem Bashës dhe “ Eh E’veri dhe “Hotel Pax” të Binak Kelmendit.
Rubrika e poezisë nis me Pol Eliardin, poetin shumë të njohur francez, dhe vazhdon me poetin italian Aldo Nove dhe me poetin portugez, gjithashtu shumë të njohur, Fernando Pessoa, si dhe Braha Rossenfeld. Prej autorëve tanë vijnë: Sabri Hamiti me ciklin “Anno Domini MMXX”, pastaj Ledia Dushi, Ndue Ukaj, Elizabet Qarri dhe Violetë Allmuça.
Në rubrikën qendrore të revistës Dossier, vjen Kurt Vonnegut, i cili, sipas kritikës, në vitet 1970 ishte një nga shkrimtarët më të famshëm të gjallë në tokë. Ai prezantohet në këtë numër të revistës me një shkrim të gjerë biografik, pastaj me tregimet “Ecja e gjatë drejt përjetësisë” ,“ Harison Bergeroni”, “ Ma gjej një ëndërr”, “ Vajtimi i një qyteti nazist për pak përfitim”, për të vijuar me shkrimin e Salman Rushdie-s: “Çfarë na thotë sot Thertorja Pesë e Kurt Vonnegutit” dhe me intervistën me titullin “Dashuria ia vlen më shumë se vdekja”.
Rubrika e kritikës fillon me tekstin “Sheja e Odiseut” , marrë nga libri tashmë klasik i Erich Auerbach-ut “Mimesis: Reprezentimi i realitetit në letërsinë europiane”, i cili vazhdon edhe në numrin e ardhshëm, pastaj vijnë tekstet “Ç’është ndikimi letrar” i studiuesit të shquar gjerman Wolgang Clemen dhe “ Dhurata nga Joyce-i” i shkrimtarit William Kenned. Shkrime të rëndësishme kritike kemi edhe nga autorët tanë, si: “Përkthimi” i Bajram Karabollit, “Mbi dy shtigje të poezisë shqipe” i Kujtim Rrahmanit dhe “ Metonimia poetike e rrëfimit” i Sali Bashotës.
Po ashtu, pjesë e kësaj rubrike janë edhe dy tekste interesante të të rinjve studentë: “Qasje komparative në realizimin epik të “ Lahutës së Malcis” dhe “ Kunorës së maleve” të Leonora Hajrajt dhe “Identiteti zhanror epik Lahuta e malcis” të Halim Halimit.
Përkthyesit që kontribuuan në këtë numër janë: Bajram Karabolli, Alket Çani, Arben Idrizi, Qerim Ondozi, Alfred Beka, Sulejman Dërmaku, Erion Karabolli, Arta Hallaçi dhe Ilir Breca.