Nga Shtëpia Botuese Pegi, vjen para lexuesve shqiptarë, romani “Ne, fëmijët e kopshtit zoologjik të Berlinit”, nga Christiana Felscherinow.
Autobiografia e romanizuar, përktheyr nga Marsela Lika flet me një vërtetësi tronditëse duke thyer heshtjen mbi përdorimin e drogës nga të rinjtë.
Libri cilësohet si një autobiografi e jashtëzakonshme e Christiana Vera
Felscherinow-it dhe adoleshentëve të tjerë të Berlinit perëndimor, në fund të
viteve 1970.
Libri u botua për herë të parë më 1979 nga gazetarët gjermanë K. Hermann
dhe H. Rieck dhe nga protagonistja Christiane Vera Felscherinoë. Ai lindi nga
një sërë intervistash që gazetarët zhvilluan për rreth dy muaj me Christiane-n,
e cila në atë kohë ishte e akuzuar dhe dëshmitare në një gjyq, që përfundoi në
qershor 1978 me dënimin e saj për përdorim droge dhe prostitucion.
Romani ngjalli reagime të shumta në të gjithë botën, për shkak të moshës
shumë të re të protagonistëve të përfshirë në xhiron e varësisë nga droga dhe
në prostitucion. Vajzat dhe djemtë ishin futur në kthetrat e drogës qysh në
moshën 12-vjeçare dhe nevoja për të siguruar paratë për blerjen e drogës i
detyronte edhe të prostituonin.
Kështu, Kristiana F. është katërmbëdhjetë vjeçe. Ka një baba të dhunshëm
dhe një nënë të paaftë për ta mbrojtur. Një histori droge, prostitucioni dhe
dhune. Në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, provon për herë të parë alkoolin,
hashashin dhe LSD-në dhe gjithë përvojat e saj janë përshkruar me imazhe
evokuese. Që Kristina do të bëhet pre dhe e varur nga heroina ndihet qysh në
faqet e para të librit dhe ndjesia e diçkaje tragjike dhe të pashmangshme
mbizotëron në çdo fjalë të sajën. Kristiana rrëfen pamjen e zymtë të
prostitucionit dhe xhiros së ndyrë të drogës rreth e përqark stacionit të
metrosë të Kopshtit Zoologjik të Berlinit, por lexuesit do të shohin edhe
sensin e komunitetit që zhvillohet mes Kristianës dhe miqve të saj.
Pikiata e saj e shpejtë drejt abuzimit me heroinën dhe prostitucionit është
tronditëse, por mërzia, nevoja për t’u pranuar nga të tjerët, rreziqet
drithëruese, madje edhe fiksimet muzikore që mbushin jetën e Kristianës janë
të njohura për shumë lexues. Ky portret i luftës së Kristianës nuk është vetëm
beteja e saj kundër varësisë nga heroina, por është historia e një adoleshenteje
që kërkon të gjejë vetveten dhe vendin që i takon në këtë botë.
Më 1981, romani u ekranizua me të njëjtin titull dhe filmi pati po aq sukses sa
dhe libri. Gjithashtu, më 2021, në Amazon Prime është shfaqur një serial me
tetë seri bazuar mbi këtë libër, por pajisur edhe me episode të tjera aktuale.
Kritika
Mesazhi i Kristianës për lexuesit është shumë i qartë: “Mos ndiqni rrugën
time!”. Megjithatë, ajo gërsheton çaste të bukura gëzimi me tmerrin dhe frikën
duke sjellë një vështrim të thellë në kërkim të dashurisë dhe kuptimit mes
kaosit të botës.
Publishers Weekly
Kjo është historia ngjethëse jo vetëm e Kristianës dhe varësisë së saj nga
heroina, por e një brezi të tërë fëmijësh të Berlinit Perëndimor që po vdisnin
për shkak të një epidemie heroine.
Autorja
Christiane Vera Felscherinow (Hamburg, 20 maj 1962) nga një vajzë e re
narkomane u shndërrua në një figurë simbolike kundër abuzimit me drogën,
si dhe e problemeve të të rinjve në shoqërinë gjermane. Pas daljes së librit, u
orvat t’i përkushtohej karrierës muzikore dhe ka bërë një jetë endacake. Vite
më vonë, ra sërish pre e heroinës, pas së cilës iu nënshtrua një terapie
çintoksimi. Jeton në Berlin dhe ka një djalë.
Fragmente nga libri
1) … Kjo shkollë po ma shpifte fare. Me mësuesit nuk kishim asnjë
kontakt personal. Edhe lidhja ndërmjet nxënësve të klasës po bëhej
gjithnjë e më e dobët, sepse secili ndiqte lëndë të ndryshme. Qëllimi
ishte vetëm se si ta shkatërroje tjetrin. Askush nuk e ndihmonte
shokun, secili donte të ishte më mirë për vete. Mësuesit i masakronin
nxënësit, sepse kishin fuqinë për të dhënë nota. Ndërsa nxënësit
provuan fuqinë e tyre mbi mësuesit që kishin zemër të mirë dhe nuk
këmbëngulnin.
2) Në një moment, grupi sikur ngeci. Pisllëqet, pra, hashashi dhe trip-et
nuk jepnin më efektin e duhur. Ishim mësuar tashmë me to. Në njëfarë
mënyrë, gjendja jonë normale ishte nën efektin e hashashit apo të
pilulave. Nuk sillnin më përjetime të reja. Gjithsesi, bëhej fjalë për të
njëjtat gjëra: drogë, muzikë, trip-i i fundit dhe pastaj, gjithnjë e më tepër
për çmimet e tregut për hashash, LSD dhe pilula të ndryshme.
Shumicën e kohës isha aq dru saqë nuk më pëlqentetë flisja dhe doja të
qëndroja vetëm.
3) Përveç kësaj, mjedisi “natyror” ofron pak natyrë dhe për rrjedhojë pak
mundësi për zhvillim. Grupet më vulnerabël në shoqëri, fëmijët, të
rinjtë dhe të moshuarit, janë drejtpërdrejt në mëshirën e kushteve të
tilla shkatërruese të jetesës. Pas përfundimit të zhvillimit, pra, pas
shfrytëzimit të truallit për ndërtim, në Gropiusstadt mungojnë
ambientet e përshtatshme të lojës për fëmijët, ambientet e kohës së lirë
për të rinjtë dhe të rriturit dhe, mbi të gjitha ambientet çlodhëse. Nuk
ka parqe të mëdha, livadhe, pyje; thjesht asgjë ku fëmijët të lëshohen
lirisht ose ku të rriturit të mund të dalin për shëtitje.
4) Logjika e qyteteve të tilla si Gropiusstadt-i bazohet në përfitimin e
kapitalit dhe nuk është e orientuar drejt nevojave dhe kërkesave të jetës
së njerëzve. Pasojat e mënyrës së jetesës së parafabrikuar që deri dje
hamendësoheshin, tani po bëhen gjithnjë e më të qarta.
5) Vërtet befasues nuk është fakti se sa njerëz i përdorin ato, por sa nuk i
përdorin pavarësisht problemeve të mëdha ekzistenciale. Kjo vlen
veçanërisht për të rinjtë. Duke pasur parasysh situatën e tyre, nuk duhet
të na habisë rritja e abuzimit me drogën, e kriminalitetit, e brutalitetit
dhe e përhapjes së ideve fashiste midis të rinjve të klasës punëtore.
ObserverKult
Lexo edhe: