
Nga: Blerim Valla
Në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, u përkujtua dhe u nderua jeta dhe vepra e një prej figurave më të njohura të artit shqiptar, Mirush Kabashi, artisti i cili asnjëherë nuk e harroi qytetin e të parëve të tij, Gjakovën.
“Një ditëlindje pa Mirush Kabashin”, mbante emrin mbrëmja artistike që Gjakova ia kushtoi një prej figurave më të ndritura dhe më të spikatura të artit të dramës dhe filmit. Mirush Kabashi ka interpretuar rreth 100 role, në teatër dhe në kinema dhe është një ndër të paktët artistë që preku skenat ndërkombëtare, në një kohë kur për artistët shqiptarë diçka e tillë dukej e pamundur.
Mbrëmja artistike “Një ditëlindje pa Mirush Kabashin” në Gjakovë, e organizuar në nderim të jetës dhe veprës së aktorit të njohur shqiptar, pra ishte e ndarë në tri pjesë.
Fillimisht në foajenë e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” u hap ekspozita “Mes teatrit dhe filmit” – një galeri me fotografi që pasqyrojnë mbo 100 rolet brilante të Kabashit në skenë dhe në ekran.
Më pas u promovua libri “Mirush Kabashi – Sokrati Shqiptar” nga autorja Driada Dervishi, e cila duke theksuar lidhjen shpirtërore mes artistit dhe Gjakovës, mes tjerash tha: “Një vit më parë festonim ditëlindjen e Mirushit me intervistën e tij të fundit dhënë në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku për rastësi Mirushi kishte 21 vite karrierë”, tha autorja e monografisë, regjisorja Driada Dervishi.
Prezent ishte edhe vajza e artistit, Mendi Kabashi, e cila emocionoi publikun me fjalët e saj për dashurinë e aktorit për Gjakovën, duke shprehur mes tjerash: “Është nder dhe krenari të jem sonte në Gjakovë – qyteti i rrënjëve tona. Im atë, ndryshe nga shumë aktorë të tjerë është vlerësuar më shumë jashtë sesa brenda Shqipërisë. Ky është një fakt që sigurisht e nderon Shqipërinë sepse e ka përfaqësuar në mbarë botën në mënyrën më dinjitoze që mund ta përfaqësojë një artist dhe mendoj që në njëfarë mënyre arti është atdhe. Kjo që ne po bëjmë sot është të promovojmë vlerat, artin dhe kulturën e vërtetë të një ikone, zëri i të cilit nuk do të heshtë kurrë.”, tha e bija e tij Mendi Kabashi.
Ndërsa në pjesën e tretë të mbrëmjes në skenën e Teatrit “Hadi Shehu” u shfaq dokumentari “100 maska, 1 shpirt” nga regjisori Eliodor Markja, që solli jetën dhe artin e pakrahasueshëm të Kabashit përmes rrëfimesh e pamjesh të paharrueshme.
Ndërkaq ky aktivitet artistik u përmbyll me një performancë muzikore nga grupi i njohur i këngëve të vjetra qytetare shqiptare “Ashikët” dhe nga sopranoja e njohur Elita Hoxha që interpretuan këngë që i ka pëlqyer edhe vet Mirush Kabashi. Si dhe me leximin e disa pjesëve të monografisë kushtuar M. Kabashit, nga aktorët e Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës, Albulena Kryeziu – Bokshi dhe Edi Kastrati.
Në këtë mbrëmjen artistike me titull “Një ditëlindje pa Mirush Kabashin”, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili përshënderi familjen e të madhit Mirush Kabashi si dhe ata që mundësuan përkujtimin për të me ekspozitën e fotografive, pastaj me promovimin e librit për të dhe filmin dokumentar kushtuar aktorit Kabashi, në ditëlindjes së 77 – të, të ikonës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare – Sokratit shqiptar. Por edhe Gjakovën si mikpritëse e kësaj ngjarjeje të madhe pasi dihet se Mirush Kabashi Ishte me rrënjë gjakovare.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti gërshetoi figurën e Mirush Kabashit, si figurë patriotike dhe artistike, për të cilin tha se do të studiohet për breza me radhë. “Mirush Kabashi i ka bërë të dyja: ka qenë një shqiptar patriot në njërën anë, por edhe në anën tjetër një artist i madh, Gjithashtu, ai shprehu admirimin e thellë për artistin Mirush Kabashin, veçanërisht siç tha “në një kohë kur po përpiqemi që atë që e ka lidhur edhe jeta e tij familjare, Gjakovën e Shkodrën, t’i bëjmë bashkë edhe me një lidhje hekurudhore, sepse siç do të thoshin shkodranët “Kur bashkohet Shkodra me Gjakovën, Gjakova me Shkodrën, atëherë restaurohet zemreku i kombit shqiptar”, përmbylli kryeministri Kurti fjalën e tij.
Përndryshe aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Mirush Kabashi, u lind më 17 prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e familjes Kabashi ishte nga Gjakova.
Mirush Kabashi dha një kontribut të madh në teatrin dhe kinematografinë shqiptare ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma. Gjithashtu, është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë shqipe.
Në 1970 u diplomua për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Aty vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, kurse nga 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1985, me periudha të ndërprera u aktivizuar si pedagog pranë Akademisë së Arteve.
Një pjesë të jetës së tij ia kushtoi edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apologjia e fundit e Sokratit”. Roli i Sokratit është padyshi kulmi i tij artistik.
Mirush Kabashi është vlerësur në Shqipëri me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Kurse sa ishte gjallë para disa viteve Komuna e Gjakovës i kishte ndarë çmimin “ Nderi i Qytetit”.
ObserverKult







Lexo edhe: