Nga: Blerim Valla
Prej vitesh qyteti i Gjakovës është kthyer në një skenë të madhe të artit, kulturës, muzikës e ngjarjeve tjera multikulturore. Janë disa prej festivaleve që mbahen çdo vit në Gjakovë tash e disa vite.
Megjithatë viti 2024 ishte në shenjë të dy festivaleve të organizuara nga “Fondacioni për Gjakovën”. I pari ishte “Ditët e Shqiptarit” që u mbajt gjatë verës dhe zgjati 7 ditë, dhe festivali i dytë “Ditët e Nëntorit” që përfundoi këto ditë dhe u mbajt 12 ditë radhazi.
Këto dy festivale ishin iniciativa tejet të rëndësishme të cilat dëshmuan suksesin e radhës për Gjakovën dhe për artin e kulturën e saj. Njëkohësisht treguan për synimet e qarta dhe për një projekt të madh dhe me vlera të larta që ka “Fondacioni për Gjakovën” për afirmimin dhe promovimin e kulturës shqiptare në përgjithësi dhe të turizmit kulturor të Gjakovës në veçanti.
Kështu ishte edhe festivali “Ditët e Nëntorit” kur për 12 ditë qyteti i Gjakovës pati një frymë dhe një shpirt multikulturor, por edhe një përvojë shumëdimensionale të të kuptuarit se arti e kultura janë baza edhe e zhvillimit ekonomik të qytetit por edhe promovimit të turizmit kulturor…
Krejt kjo falë një mori aktivitetesh e ngjarjesh elitare, si koncerte live të zhanreve të ndryshme të muzikës, promovime librash, pastaj debate të ndryshme multidiciplinare me personalitete të njohura shqiptare e të huaj, si dhe ushqime (gastronomi) shqiptare dhe atyre vendore (specialitete të njohura gjakovare).
Kështu publiku pati mundësi të shohë operën e parë kosovare “Goca e Kaçanikut”, nga Rauf Dhomi. Operë kjo e shfaqur këtu e 45 vjet më parë, si opera e parë kosovare e gjakovarit Rauf Dhomi e cila e pati premierën atëbotë në Tiranë.
Më pas ishte “Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë”, që u prit tepër mirë me koloritin e veshjeve, valleve dhe këngëve tona popullore. Publiku më së shumti duartrokiti dhe e mirëpriti koncertin live të grupit e njohur shqiptar që ka performuar edhe në skenat botërore “Saz’Iso” me perlat e jugut të Shqipërisë. Kurse koncerti i fundit ishte Gala Koncerti me muzikë klasike me mjeshtrit tanë me perlat e muzikës lirike shqiptare dhe botërore.
Publiku mirëpriti shumë mirë edhe promovimin e romanit “E shkuar e pakryer” të Ermal Hasimjes, që flet për familjen e njohur gjakovare Hasimja e shpërngulur moti në Shqipëri dhe peripetitë e tyre gjatë regjimit komunist atje. Mandej debatin me ambasadorin britanik në Kosovë, Jonathan Hargreves, dhe ish- presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga. Sikurse edhe debatin me intelektualin e njohur Gjergj Bojaxhiu që foli për gjenezen shqiptare, si dhe diskutimin motivues për psikoterapinë pozitive me mjekun – neuropsikiatrin e njohur prof.dr. Afrim Blyta që zgjoi interesim të madh.
Kurse për çdo natë pas këtyre aktiviteteve pati edhe muzikë live, siç ishte koncerti i rock grupit të njohur shqiptar të këtij zhanri, grupit “Jericho” në krye me këngëtarin e njohur Petrit Qarkaxhiun.
Përndryshe “Fondacioni për Gjakovën” , sipas gazetarit, pedagogut e shkrimtarit të njohur, tiransit me rrënjë gjakovare Ermal Hasimja. i cili është në krye të organizimit të këtyre festivaleve dhe kryetar i bordit të “Fondacionit për Gjakovën”, për vitin 2025 në planin e tyre së shpejti kanë edhe shumë aktivitete multikulturore dhe atë në muajin shkurt, për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, pra organizimin e një festivali të tretë, diçka të ngjashme me dy festivalet e deritashme si “Ditët e Shqiptarit” dhe atë “Ditët e Nëntorit”!
ObserverKult
Lexo edhe: