Në gjuhën tonë të bukur shqipe: “I shkurtër”, pse jo edhe ‘i gjatër’?

Sipas rregullave të drejtshkrimit, i shkurtër. Kështu e kanë fjalorët normativë të akademisë.

Nga doli kjo bashkëtingëllore në fund, a ka shembuj të ngjashëm në gjuhën shqipe?

Në shqip thuhet i butë, i urtë, i ngurtë dhe nuk thuhet i butër, i urtër, i ngurtër. Dhe më tej, i gjatë, i qartë, i thatë, i thartë dhe jo i gjatër, i qartër,  i thatër, i thartër. Në përputhje me këtë logjikë, pjesa më e madhe e shqiptarëve thonë i shkurtë, pa r.

Janë disa mbiemra si i kaltër, i pastër, i qashtër, por ata përfaqësojnë rast tjetër.  Ndryshe nga sa ndodh te i shkurtër, te këta mbiemra r-ja në fund  është pjesë e temës, domethënë pjesë e fjalës që mbetet pasi t’i hiqen mbaresat. Po të thuhet i kaltë, pa r, del fjalë pa kuptim, ndërkohë që i shkurtë, pa r, ka kuptim të plotë.

Edhe fjalët e formuara prej kaltër, pastër e ruajnë r-në e fundit, sepse e kanë pjesë të temës. Thuhet kaltërsi dhe jo kaltësi, pastërti dhe jo pastëti.  Thuhet  kaltëron dhe jo kalton, pastron dhe jo paston.

Ndërsa te mbiemri i shkurtër, r-ja në fund del e qepur, nuk bën pjesë në temën e fjalës, nuk sjell përmbajtje a ngjyresë (nuancë) të re kuptimore. Në të gjitha fjalët e tjera të kësaj çerdheje fjalësh kjo bie. Thuhet shkurtësi dhe jo shkurtërsi, shkurton dhe jo shkurtëron, shkurtim dhe jo shkurtërim, shkurtore dhe jo shkurtërore.

Atëherë për ç’arsye është normuar i shkurtër? Apo kanë dashtë me sfidue përmbajtjen e fjalës, duke e zgjatur atë formalisht?

Këto punë i dinë ata të kongresit të dreqshkrimit. Më falni, të drejtshkrimit (fajin e ka Konica: fjalën drejt ai e shkruan dreqt!)./ Mehmet Elezi