Në hollin e Komunës së Prishtinës u hap ekspozita e piktorit të njohur, Skënder Strica

Hapësirat e Komunës së Kryeqytetit janë shndërruar në vendtakime për artin dhe kulturën.

Në korridorin e Komunës është hapur ekspozita “Horizonte Mbarëshqiptare” e piktorit të njohur nga Shqipëria, Skënder Strica. Kjo u bë e ditur nga drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.

“Kjo ekspozitë është një himn për bukurinë, shpirtin dhe unitetin mbarëkombëtar. Ajo përfaqëson një moment të veçantë për të nderuar njërin nga piktorët më të shquar të peizazhit shqiptar dhe për të promovuar trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Halimi.

Kush është Skënder Strica?

Skënder Strica është piktori i njohur shkodran që çdo ditë frymëzimin e hedh në telajo, duke i dhënë ngjyra asaj e bashkë me të edhe shpirtin e tij të lirë.

Skënder Strica është “produkt” i traditës së qytetit në këtë fushë dhe dashurinë për Shkodrën e tij e shpreh në çdo rast.

Skënder Strica ka realizuar mbi 12 ekspozita jo vetëm në Shkodër por edhe në Malin e Zi dhe deri në Austri e tani edhe në Kosovë. Ai është modeli i një artisti që dashurinë për të bukurën e ka rrënjosur thellë në punimet e tij.

Alpet e Shqipërisë, me peisazhin e veçantë natyror, vazhdojnë të tërheqin interesimin e vizitorëve të shumtë, por edhe artistëve, mes të cilëve është edhe piktori Skënder Strica, i njohur si “piktori i maleve”, i cili pjesën më të madhe të krijimtarisë ja ka kushtuar Alpeve.

ObserverKult


Lexo edhe:

EKSPOZITA ME KRISTALE TË NXJERRA NGA MINIERAT E TREPÇËS/ SIBEL HALIMI: SHKËLQIMI I TYRE ËSHTË NJË KUJTESË E HIDHUR