Nëpërmjet protestës artistike, ajo kërkon lëmoshë për dashuri. “A më do të lutem” është pyetja që shtron Fitore Berisha nëpërmjet sloganit të prezantuar në sheshin “Adem Jashari” në kryeqytet.
Në anglisht, “Love me please”, vepra e saj është thirrje për Evropën që t’i dojë qytetarët e Kosovës, që kanë mbetur të izoluar për një kohë shumë të gjatë. Ajo fton audiencën t’i bashkohen thirrjes së saj në kërkim-lëmoshë për dashuri. Nëpërmjet performancës së saj, Berisha ka krijuar një vend që edhe kalimtarët të vendosen në kutinë e tejdukshme prapa fytyrës së pashpresë në kërkim të dashurisë. Ata mund të fotografohen brenda kutisë dhe ta shpërndajnë atë shkrepje me sloganin dhe hashtagun #lovemeplease dhe #hapudemia2020.
Performanca e Berishës, e prezantuar në publik të premten, është pjesë e rrugëtimit të Festivalit të Artit në Hapësirë Publike. Edhe kjo ngjarje kulturore, sikurse të tjerat, është “prekur” nga pandemia. Në pamundësi për t’u hapur me qytetin e artistët, organizatorët e kanë gjetur një mënyrë më kreative për t’i qëndruar afër audiencës. Sipas tyre, “mbyllja e distancimi jodomosdoshmërisht nënkupton edhe mbyllje e largim të mendjes e shpirtit nga njëri-tjetri”. Edhe titulli i festivalit sivjet është transformuar. Është titulluar “Hapudemi”.
Berisha ka thënë se nëpërmjet “Kërkim-lëmoshe për dashuri” ka shprehur pakënaqësinë e saj për faktin që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm.
“Me këtë instalacion, që është një fytyrë e dëshpëruar, është një slogan që thotë ‘A më do të lutem?’. Siç dihet, askush nuk e lut askënd me e dashtë. Në këtë rast është një revoltë e imja si qytetare e Kosovës”, ka thënë Berisha, e cila protestës artistike i ka dhënë fytyrën e emocionin e një njeriu të pashpresë, të hutuar e të tradhtuar, që bën thirrje për përfshirje.
Para veprës së saj, “Hapudemia” solli projektin “udhëtimi poetik”, në kuadër të të cilit me anë të valëve të radios, publiku dëgjoi poezi. /koha