Kosova për të shtatin vit synon ta gjejë kandidatin për “Oscar”

Në të shtatin vit me radhë, Qendra Kinematografike e Kosovës do të përzgjedhë filmin zyrtar që do ta përfaqësojë vendin në garën për nominim për çmimet “Oscars”. Filma të gjatë artistikë, dokumentarë dhe animacione më të gjata se 40 minuta do të kenë mundësinë të kandidojnë si propozime për shqyrtim.

Pasditen e së martës, QKK-ja ka shpallur të hapur thirrjen për propozime për “Oscar” për të gjithë filmat që janë shfaqur në kinema apo VOD platformë për së paku 7 ditë rresht, jo më herët se 1 tetori i vitit të kaluar dhe jo më vonë se 31 dhjetori 2020.

Po kjo qendër ka njoftuar edhe për rregullat e reja të “Academy Awards” për pandeminë COVID-19, e cila ka prekur edhe sektorin e kinematografisë dhe projektet filmike.

“Ndër kryesorja që do të vlejë vetëm për edicionin e 93-të është për filmat e përzgjedhur që e kanë pasur shfaqjen të planifikuar më parë, por që fillimisht janë bërë të qasshëm përmes platformës me reputacion të shpërndarjes ose të ndonjë platforme VOD”, thuhet në njoftimin e QKK-së./koha