Në Mitrovicë të shqetësuar edhe për shtëpinë e Xhafer Devës

Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Mitrovicë – RROK, ka shprehur shqetësimin se mund të rrënohet edhe shtëpia e Xhafer Devës, një monument kulturor i mbrojtur me ligj.

Ky reagim vjen pas rrënimit të monumentit mbi 100 vjeçar – shtëpisë së Asim Leniqit, transmeton ‘koha’.

“Në emër të organizatave të skenës së pavarur kulturore në Mitrovicë, shprehim indinjatën e thellë që institucionet relevante si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal, nuk po arrijnë të mbrojnë vlerat e trashëgimisë kulturore të cilat vet i kanë shpallur në interes publik”, thuhet në komunikatë.

RROK shton se për vite me radhë, në këtë qytet janë rrënuar e degraduar shtëpi e objekte me potencial për të ruajtur e promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore të këtij qyteti.

“Andaj, rrënimi i shtëpisë së Asim Leniqit (mbrojtur me ligj, deri në vitin 2014) si dhe shtëpive tjera përreth veçse ka shtuar pakënaqësinë në mesin e qytetarëve e organizatave të shoqërisë civile të Mitrovicës, dhe jo vetëm. Jo larg kësaj hapësire gjendet edhe shtëpia e lënë në harresë, ajo e Xhafer Devës (e mbrojtur me ligj) e cila do të ndikohet nga plani i ri për ndërtimin e objekteve të reja e të larta”, thotë RROK.

RROK thekson se sipas ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore “monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit” e që në këtë rast këto rrënime dhe ndërtimet e ndërtesave të reja do të ndikonin drejtpërdrejtë në dy shtëpi monumentale në atë zonë, shtëpinë e Xhafer Devës, si dhe shtëpinë e Agim Hajrizit”.

Madje për këtë të fundit, RROK i propozon Komunës së Mitrovicës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, si dhe Qendrës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore – dega Mitrovicë që objektin, shtëpi banimi e atdhetarit Agim Hajrizi ta fusin në listën e objekteve nën mbrojtje shtetërore, si dhe të investojnë sa më parë për shndërrimin e saj në shtëpi-muze.

“Nuk mund të flasim për standarde evropiane nëse shkatërrojmë të kaluarën e trashëgiminë tonë”, thotë RROK.