Në përkthim të Aida Baros, vjen në shqip “Ndjenja e kohës” së Ungarettit

Shtëpia Botuese “Pegi” ka sjellë në shqip librin “Ndjenja e kohës” të Giuseppe Ungarettit, përkthyer nga Aida Baro.

Libri me një fjali
Kërkimi i përjetësisë dhe pafajësisë së dikurshme në gjendjen tokësore të
njerëzimit sot, nëpërmjet zhbirimit të misterit të natyrës.

Informacion i përgjithshëm rreth librit
‘‘Ndjenja e kohës”, vëllimi i dytë me poezi i Giuseppe Ungaretti-t, botuar për
herë të parë në vitin 1933 dhe më pas i pasuruar e ribotuar më 1936 dhe 1942,
është një ndër arritjet më të larta të tij, ku pjekuria intelektuale dhe poetike do
ta shpjerë të ndryshojë kryekëput nga Allegria, jo vetëm në temat e trajtuara,
por edhe në metrikën e përdorur. Tashmë, i dashuruar pas Canto-s italiane, i
pasionuar në zbulimin e poezisë së Giacomo Leopardi-t dhe Francesco
Petrarca-s, ai i kthehet metrikës tradicionale, vargut njëmbëdhjetërrokësh,
nëntërrokësh dhe shtatërrokësh, por duke mos humbur në asnjë çast
esencialitetin, valencën, domethënien dhe përmbajtjen e thellë që duhet të
ketë fjala në vetvete. Në këtë vëllim, Ungaretti i rikthehet neoklasicizmit dhe
barokut, të cilin e ka zbuluar udhëve dhe peizazheve të Romës e përmes
veprës së mahnitshme të Michelangelo-s.
Kjo përmbledhje cek distancën e perceptuar mes së tashmes dhe së shkuarës,
një distancë që kthehet në një humnerë thuajse të pamundur për t’u kapërcyer,
qoftë si akt vullneti, qoftë si akti hiri nga lart. Ungaretti është i vendosur të
përjetojë skajet e ndërgjegjes së tij, një “ndërgjegje e tmerrshme” në mënyrë
që të perceptojë boshllëkun. Paradoksalisht, pikërisht kjo i jep mundësinë të
shërohet nga frika e këtyre kufijve. Me forcën dhe saktësinë e intuitës së tij
medituese, arrin të kapërcejë atë çka në një poet më të zakontë do të kthehej
në një inventar dhembjesh dhe frikërash personale: poezitë e tij na duken
objekte përtej vetvetes për arsyen se ai kurrë s’e trajton veten e tij si shembull
të të gjithë individëve. Ungaretti ngrihet mbi perceptimet dhe ndjenjat
personale dhe na dhuron kështu gjithë “ndjenjën e kohës”.
Kritika
Përmbledhja “Ndjenja e kohës” shënon përfundimisht kalimin në një stinë të
re të poezisë ungaretiane dhe, me autoritetin e shembullit të vet, sanksionon
një prirje që do të përkrahet gjerësisht, atë të hermetizmit.
Edoardo Esposito, kritik letrar, pedagog,
(artikull në “Poesia e shekullit XX në Itali dhe në Europë)

Themelet e poetikës ungaretiane që pohohen në përmbledhjen e re janë mbi
të gjitha dy: gjuha e çmuar dhe e lartë, thuajse hyjnore, që sjell kërkimin e një
stërhollimi të lloji petrarkist, të orientuar drejt një poezie të vyer dhe sublime;
si dhe liria analogjike.
Romano Luperini
Kritik letrar, shkrimtar dhe politikan

Ky kapërcim ndodh me vëllimin “Ndjenja e kohës”, që përmbledh lirika të
shkruara që në fillim të 1919 dhe të botuara më 1933; njeriu i dhembjes,
Ungaretti, tashmë është Njeriu (me Nj të madhe), poezia synon t’u japë zë
konflikteve të brendshme, pikëpyetjeve dramatike – kërkimin e sigurive dhe
limaneve; misterin: të ndierit e kohës, efemeren në raport me të përjetshmen,
do të thotë poeti, – tesnsionit ekzistencial, rrugëtimit të dhembshëm për të
kapërcyer të qenit tokësor.
Salvatore Guglielmino,
kritik letrar, hartues antologjish letrare

Autori
Giuseppe Ungaretti është një prej poetëve më të mëdhenj italianë të
shekullit XX. Ai njihet gjerësisht si njeriu që hodhi themelet e hermetizmit,
një rrymë letrare që solli një tjetër frymë dhe formë në mënyrën e të krijuarit
poezi. Përmes një pune të gjatë hulumtuese dhe eksperimentale, por edhe të
refuzimit të modeleve stilistike tradicionale, Ungaretti kërkoi t’i kthente fjalës
virgjërinë dhe risinë, duke e sjellë në një përmasë më thelbësore, të zhveshur
e ndonjëherë, qëllimisht të errët.
Ai është fitues i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, një
ndër të cilët Çmimi Ndërkombëtar për Letërsinë Neustadt, më 1970.

Fragmente nga libri

NDJENJA E KOHËS

Dhe kur dritë e duhur bie,
Si tis krejt i purpurt
Në më pak të lartën kreshtë,
Largësia masës i shpaloset,
Çdo regëtimë imja, ashtu si zemra,
Që tash e mbaj vesh,
Të nxit, o kohë, t’më lëshosh mbi buzë
Të mbramen puthje tënden.