Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka përgatitur projektin “Hulumtimi dhe dokumentimi i ish-burgut në ndërtesën e QRTK-së Prizren”.
Sipas njoftimit nga QRTK-ja, të hënën, synim i veçantë i këtij projekti ishte hulumtimi dhe grumbullimi i materialeve, përfshirë dokumente arkivore, fotografi, intervista me dëshmitarë të kohës, ish të burgosur politikë dhe familjarë të tyre, duke dokumentuar dhe faktuar rrëfimet për ish burgun e OZN-së në Prizren gjatë viteve 1945-1965.
Bazuar në dëshmitë e dokumentuara, së shpejti do të finalizohet edhe dokumentari televiziv i cili do të paraqesë përjetimet dhe dëshmitë rrëqethëse të dënuarve politikë shqiptarë që kishin punuar për çlirimin e Kosovës nga ish-Jugosllavia, veçmas ata që kanë kaluar nëpër zyrat e UDB-ës së Prizrenit gjatë kësaj periudhe kohore, thuhet në njoftim.
Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, theksoi se referuar dokumenteve të shumta arkivore, është përgatitur propozimi i projektit “muzeu i dhunës”, i cili do të propozohet për zbatim në të ardhmen e afërt nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Me funksionalizimin dhe shndërrimin e ndërtesës në hapësirë muzeore, do të shpalosen dhe vizualizohen pamjet e shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte shtypjen e popullit tonë me dekada të tëra”, ka theksuar drejtori i këtij institucioni Hoxha, përcjell njoftimi i QRTK-së.