“Ne qëndrojmë me Ukrainën!” – protesta e artistëve shqiptarë

Pushtimi i Ukrainës nuk lë indiferentë as artistët shqiptarë. Në dhjetëra vepra të artit pamor, përmes pikturës, karikaturës e vizatimit, ata bëjnë protestën e tyre. Nga thirrja e Vlash Drobonikut “Ndaloni Luftën” tek artisti i ri Endri Beqo që sjell diktatorin Putin në “Në gjuhën e Hitlerit”, artistët shqiptarë thonë njëzëri: “Ne qëndrojmë me Ukrainën!”

Një vogëlush veshur me ngjyrat e flamurit ukrainas, mbulon fytyrën e përlotur. Është i plagosur, por qëndron në këmbë.

Piktori Agim Sulaj, e portretizon kështu “Ukrainën”, në këto ditë kur vendi vuan pushtimin rus.

Arti nuk mund të jetë indiferent ndaj agresionit

Arti nuk mund të jetë indiferent, veçanërisht, kur mijëra jetë njerëzish shuhen përpara syve të botës, e ekzistenca e një shteti vihet në pikëpyetje, ndaj të tjerë artistë shqiptarë, e thonë fjalën e tyre përmes pikturës.

Lufta ka një iniciator, e nga Greqia artisti Bujar Arizi, e hedh në telajo “Metamorfozën dhe dëlirin e diktatorit, Putin”!

Ndërsa Arben Biçoku bashkohet artistëve shqiptar që thonë njëzëri “Ne qëndrojmë me Ukrainën”, duke pikturuar “zemrën” e këtij shteti, kryeqytetin e Kievit. Konflikti ka marrë  në artin pamor fytyrën e familjeve të ndara, të fëmijëve të plagosur, e britmës së një nëne.”

“Mbahu Ukrainë!”

Vizatimi i Vlash Drobonikut, me sfondin e zi të Luftës, vjen gati si një lutje, “Për paqen në Ukrainë”. E më tej, në një tjetër punim i bashkohet thirrjes së Ukrainës: “Ndaloni Luftën!” Për diktatorët që për ambicie territoriale e pushteti, tronditin botën e nuk mëshirojnë as të vegjlit e pafajshëm, karikatura e Endri Beqos është therëse. Diktatorin e Luftës së re, ai e sjell “Në gjuhën e Hitlerit”, “Në kripën e botës” e “Duke dëgjuar veten, kur e gjithë bota është kundër tij dhe luftës” që ka shkaktuar.

Dastid Miluka kërkon “Paqe për Ukrainën”. E përforcon këtë gjuhë të artit pamor Arif Lushi me  “Vajzën Ukrainase”. Ndërsa solidariteti i Shqipërisë, ndaj këtij vendi, shfaqet në punimin e Jona Dividit ,“Detaje nga Tirana dhe Kievi”. Natasha Bega po ashtu rebelohet prej Luftës e kërkon “Paqe për të gjithë”, ndërsa tabloja e përgjakur e Vangjel Gjikondit është një britmë “Për Ukrainën” e viktimat e kësaj Lufte.

Janë me dhjetëra artistët pamorë shqiptarë, që në këto ditë të cilat mbushen me lajmet e jetëve të humbura, si dhe të një stoicizmi  që nuk ka vija dallimi me qytetarëve të thjeshtë e funksionarëve me kollare, përmes veprave të tyre, thërrasin “Mbahu Ukrainë!”. /shqiptarja.com

ObserverKult

Lexo edhe:

SULMI RUS NË UKRAINË, 1000 SHKRIMTARË KUNDËR LUFTËS