“Në Shqipëri kujtojnë vetëm të këqijat…”/ Kadare-Agolli, pamje nga takimi i tyre i fundit- ja për çka folën (Video)

Në rrjet po qarkullon një video e Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit. Ky është takimi fundit mes dy shkrimtarëve vite më parë, pak pasi Kadare u kthye nga Franca për t’u vendosur në Tiranë.

Në videon e publikuar nga faqja në Instagram ‘n’Dritëro’, dy shkrimtarët flasin për raportet me njëri-tjetrin.

Kadare madje sjell në vëmendje të Agollit një intervistë që ai kishte dhënë ku ishte pyetur për Dritëroin dhe kontradiktat që kanë pasur me njëri-tjetrin. Më poshtë gjeni bisedën mes dy shkrimtarëve. 

Pjesë nga biseda mes Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit

Ismail Kadare: Kam dhënë një intervistë shumë të rëndësishme, tek specialisti më i madh për botën komuniste, Stéphane Courtois dhe ai më ka bërë një pyetje. Zoti Kadare, keni pasur kontradikta me Dritëro Agollin dhe vë re në intervistën tuaj që ju jeni i butë me të. E shpjegoj pse unë, kemi qenë shokë të vjetër dhe ajo ka mbetur gjithmonë e gjithmonë…Kryesorja është ajo dhe kryesorja ne jemi shkrimtarë të dy. Dhe i shpjegoj një detaj, një hollësi, dhe i them edhe kur ka pasur gjendje të acaruar në Shqipëri, unë kujtoja Agollin, i ka thënë time shoqes në shkallë. I ka tundur gishtin i ka thënë: ‘Dëgjo t’i Helena, në ka njeri që e do më shumë burrin tënd jam unë’. Dhe unë për çudi them, e besova. Tani Stéphane Courtois tha, dhe unë e besoj. Shiko sa interesante, një i huaj.

Ismail Kadare: Në Shqipëri është zakon i keq, kujtojnë vetëm të këqijat. Të këqija gjen kudo në jetën e njeriut, episode të këqija, acarime, njolla. Ne ato kujtojmë. Ne nuk kujtojmë të mirat dhe këtu është përparimi i një kombi, i mirë ose i mbrapshtë. Rruga e mbrapshtë është kur kujton vetëm të ligat dhe rruga e mbarë kur përpiqet t’i mënjanojë ato dhe të kujtojë vetëm të mirat/. Të mirat ne nuk i duam. Kjo është historia, ne jemi shkrimtarë, ne jemi për tjetër gjë…kemi ardhur në këtë botë.

Dritëro Agolli: Unë mendoj që po nuk pate kundërshtim nuk mund ta duash tjetrin. Pa kundërshtim, nuk ka lindur shkenca, as letërsia. Po të ishin të gjithë shkrimtarët dakord të gjithë, asnjë shkrimtar nuk do kishte në botë./shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

PËRCILLET SOT PËR NË BANESËN E FUNDIT KOLOSI I LETRAVE SHQIPE, HOMAZHE PUBLIKE DHE CEREMONI SHTETËRORE NË NDER TË ISMAIL KADARESË