Në Shqipërinë ku injoranca kthehet në vilë e veshur me frak

Prej kohësh nuk jam trishtuar sa sot, nga vdekja e Maks Velos..E kam njohur Maksin relativisht vonë, dhe kam ndenjur me të relativisht pak. Mjaftueshëm, sa për të kuptuar që, në një vend delesh e derrash, ishim me fat që e kishim.

Nga Koloreto Cukali

Më preku ikja e Maksit, ndoshta sepse Maksi mori me vete shumë gjëra që janë të një Shqipërie që po vdes.

Në këtë vend të tharë nga brenda, Maksi ishte një njeri me shumë pasion. Kishte pasion për punën në një vend ku dhe këta që na vjedhin, na vjedhin tashmë pa ndjerë pikë emocioni, sikur i ka zënë halli me ne.

Maksi fliste me pasion të pagjindshëm për të bukurën, mes këtyre njerëzve të arsimuar keq dhe parvënyve në pushtet që flasin vetëm për të bërë para e kurrë për të bërë një gjë të bukur. Maksi, kishte deri në ditën e fundit pasion për dashurinë, në një kohë kur dashuria përfaqësohet vetëm me prostituta instagrami e me kurvarë të veshur me pushtet.

Në këtë vend të qeverisur nga një ish-artist që i urren artistët, ku mediokriteti ka ngritur kulla floriri, Maksi mbeti deri në fund një artist i madh. Nuk po flas për pikturën apo arkitekturën, ku besoj se ka lënë gjurmë, po flas për letërsinë. Maks Velo, hyn për mua tek 5 shkrimtarët më të mirë të Shqipërisë pas-komuniste, një Shqipëri tashmë kaq e keq-arsimuar dhe e paedukuar e ku analfabetizmi është shtruar këmbëkryq. Letërsia e burgut e Maksit ka një finesë të jashtëzakonshme. Ka më shumë botë që hapen në galeritë e burgjet e shkruara prej Maksit sesa në qindra vepra të këtyre 30 viteve të fundit.

Në Shqipërinë ku injoranca kthehet në vilë e veshur me frak, Maksi ishte nga të paktët aristokratë të vërtetë. Një aristokraci që nuk i vinte nga pronat e rimarra apo nga milionat e bëra në kohën e trafiqeve. Aristokracia e Maksit vinte nga ajri që kishte thithur, nga librat që kish lexuar, nga njerëzit e mëdhenj që kish takuar në burgje, nga muzetë ku kishte hyrë, nga vlerat e familjes së vet.

Maksi ishte korçar i lindur në Paris. Maksi, ishte ndoshta parizieni i fundit i këtij qyteti. Sepse, parizien nuk të bëjnë kravatat, luksi apo vitet që mund të kesh kaluar në Paris. Enveri kish jetuar në Francë. Por Shqipëria e tij ishte Shqipëri siberiane, jo pariziene. Sikurse Shqipëria e Edi Ramës është anadollake. Ky vend prej kohësh nuk ka më copëra Parisi, madje, përherë e më shumë i ngjan Azerbajxhanit. Edhe më shumpë tani, me ikjen e Maksit.

I dënuar me 10 vjet burg VETËM sepse pikturonte si “modernist” dhe se fliste për Pikason; me ekspertizën që ia bënë gati drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve me në krye Kujtim Buzën; me veprat që ia morën me kamion dhe ia dogjën në kaldajën e gjykatës; tradhëtuar e spiunuar te Sigurimi nga shokët e ngushtë, nga e vjehrra dhe e shoqja.

Në një vend ku shumica preferojnë të mbajnë gojën mbyllur, ku shumë nga ata që janë në pozitë që duhet të flasin kanë zgjedhur të heshtin e t’i shërbejnë të dorëzuar pushtetit të një njeriu të vetëm, Maksi, mbeti deri në fund një shpirt i lirë.

Jam shumë i pikëlluar për ikjen e Maksit. Unë mendoj që ai dha shumë për këtë vend pa marrë kurrë mbrapsht asgjë.

Unë besoj se Shqipëria është kjo që është, për shkak të disa njerëzve të mëdhenj që kanë marrë frymë në të. Për mua, Maks Velo ishte një prej tyre.

Dua të marr pak nga Noli, pa patur frikë që mund ta ekzagjeroj: Nëno moj, mbaj zi për vëllanë...